Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për president. Ajo është njëra nga gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar kundërshtimin ndaj kësaj kandidature.
Të lidhura
None found
Përmes një shkrimi në Facebook, Bajrami theksoi se mandati i saj buron nga qytetarët dhe se nuk është zgjedhur për të shërbyer si numër në Kuvend apo për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit.
“Nuk e kam deleguar votën te askush”, shkroi ajo.
Bajrami tha se mbështetja e marrë nga qytetarët, përfshirë edhe atë të zgjedhjeve të fundit, i është dhënë për t’i përfaqësuar ata dhe për të kundërshtuar keqqeverisjen e Albin Kurtit. Sipas saj, gjatë angazhimit të saj politik ajo ka punuar për interesin e vendit dhe ka mbrojtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa ka pasur mundësi.
Ajo e cilësoi të papranueshme që, në emër të tejkalimit të krizës institucionale, të arrihet një marrëveshje që do t’ia zgjaste Albin Kurtit pushtetin e përqendruar.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por mbi të gjitha ka nevojë për ekuilibër institucional, kontroll demokratik dhe llogaridhënie”, u shpreh Bajrami.
Sipas saj, grumbullimi i pothuajse të gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një personi nuk përbën zgjidhje, por rrezikon demokracinë dhe dëmton shtetin. Bajrami shtoi se kjo është dëshmuar tashmë për gjashtë vite radhazi.
Deputetja deklaroi se nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, por theksoi se shmangia e tyre nuk mund t’i detyrojë deputetët të votojnë një marrëveshje që u paraqitet si e përfunduar.
Ajo tha se emrat e propozuar për president të Republikës nuk janë diskutuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Sipas saj, nëse votat e tyre ishin të nevojshme, konsultimet duhej të zhvilloheshin para arritjes dhe publikimit të marrëveshjes.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe më pas, në rast se nuk e merr atë votë, ta ngarkojë deputetin me përgjegjësinë për zgjedhje të reja”, deklaroi Bajrami.
Ajo rikujtoi se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht vetëm përmes zgjedhjes së presidentit, pasi Kuvendi, për shkak të LVV-së, ka kryer shkelje kushtetuese dhe ka tejkaluar afatin 30 ditor për konstituim.
Bajrami u zotua se deri në përfundim të angazhimit të saj politik do të vazhdojë ta përfaqësojë besimin e qytetarëve dhe të votojë në përputhje me bindjet e saj dhe interesin e vendit.
“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, përfundoi ajo.
Demokraci!
