Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, të cilin e ngarkon me dyshimet për bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), si dhe për shantazh ndaj një personi për një shumë mbi 13 mijë euro.
Të lidhura
None found
Sheholli po përballet me akuzat për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”.
Ky rast ka rihapur një debat të ndjeshëm për sigurinë kombëtare të Kosovës: nëse rrjetet e spiunazhit u zhdukën pas përfundimit të luftës, apo nëse, 26 vjet më vonë, ato kanë përshtatur metodat, format dhe synimet e tyre.
Për “Bota sot”, gjenerali në pension, Prof. dr. Muhamet Racaj, ka analizuar këtë çështje. Sipas tij, mbyllja e luftës nuk solli edhe ndërprerjen e veprimtarisë së rrjeteve të spiunazhit.

Racaj thotë se ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e veprimit dhe me instrumentet që përdoren për mbledhjen e informacionit dhe ushtrimin e ndikimit.
“Rrjetet e spiunazhit nuk janë zhdukur 26 vjet pas luftës, por kanë marrë forma të tjera. Rasti Sheholli e ka rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjen nëse këto rrjete përfunduan bashkë me luftën, apo nëse gjatë këtyre 26 viteve u ndryshuan metodat, format dhe objektivat e tyre. Po ashtu, duhet parë nëse institucionet e Kosovës, AKI-ja, Policia e Kosovës dhe strukturat e tjera janë fuqizuar për t’i zbuluar dhe luftuar shërbimet sekrete që veprojnë kundër Kosovës dhe brenda saj”, ka deklaruar Racaj.
Gjenerali në pension vlerëson se siguria e Kosovës nuk duhet të analizohet vetëm përmes një shteti apo një shërbimi të veçantë. Sipas tij, prania e shumë aktorëve ndërkombëtarë në vend sjell edhe interesa të ndryshme informative, disa prej të cilave mund të bien ndesh me interesat e Kosovës.
“Nuk duhet përdorur një këndvështrim i kufizuar, që veprimtarinë e inteligjencës e lidh vetëm me një shtet ose shërbim. Ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të shumta nënkuptojnë edhe praninë e interesave të ndryshme informative. Përkrah shërbimeve të vendeve mike, që bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për sigurinë, mund të ketë edhe aktorë të huaj me interesa të kundërta me shtetin e Kosovës.
Spiunazhi bashkëkohor duhet kuptuar si pjesë e një gare më të gjerë gjeopolitike, ku informacioni është shndërruar në një instrument themelor të pushtetit. Përveç rekrutimit tradicional të njerëzve, sot përdoren rrjetet sociale, dezinformimi, ndikimi te opinioni publik, presioni ekonomik, ndikimi politik, operacionet kibernetike dhe dobësitë e institucioneve”, është shprehur Racaj.
Ai nënvizon se kërcënimet e sotme për sigurinë kombëtare nuk lidhen vetëm me spiunazhin klasik. Informacioni dhe ndikimi, sipas tij, janë bërë mjete të rëndësishme të përballjes mes fuqive dhe aktorëve të ndryshëm gjeopolitikë.
“Lufta informative dhe operacionet e ndikimit mund të jenë po aq të rrezikshme sa kërcënimet tradicionale. Nëse një informacion i klasifikuar përfundon në duar të gabuara, mund të dëmtohen një operacion, një institucion apo edhe interesat strategjike të shtetit”, thekson ai.
Duke iu referuar drejtpërdrejt çështjes së Fatmir Shehollit, Racaj u bën thirrje institucioneve të Kosovës që ta trajtojnë atë me seriozitet, profesionalizëm dhe kujdes, duke ndarë dyshimet nga faktet e provuara gjatë procedurave ligjore.
“Rasti Sheholli duhet të trajtohet me përgjegjësi institucionale, profesionalizëm dhe maturi. Kosova nuk ka interes të krijojë panik apo të mbështetet në akuza të pakonfirmuara. Megjithatë, çdo dyshim për veprimtari të kundërligjshme informative duhet të hetohet nga autoritetet kompetente dhe, nëse vërtetohet, të trajtohet sipas ligjit.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim. Zbulimi dhe parandalimi i aktiviteteve që rrezikojnë sigurinë kombëtare përbën një nga sfidat kryesore të saj. Kur institucionet e sigurisë identifikojnë dhe neutralizojnë rrjete apo veprimtari të tilla, kjo nuk duhet parë vetëm si një problem, por edhe si tregues se mekanizmat e kundërzbulimit funksionojnë dhe se Kosova po krijon kapacitete më të qëndrueshme për mbrojtjen e interesave të saj”, deklaron Racaj.
Sipas tij, përballja me spiunazhin nuk mund të mbështetet vetëm te reagimi pasi një rast është zbuluar. Institucionet duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin, forcimin e kapaciteteve dhe mbrojtjen e strukturave të sigurisë.
“Kundërzbulimi kërkon parandalim, profesionalizëm, kontroll të informacionit të klasifikuar, mbrojtje të institucioneve strategjike, ndërgjegjësim të zyrtarëve dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Lufta e vitit 1999 ka përfunduar, por përplasja e interesave rreth Kosovës vazhdon. Sot ajo shfaqet në forma më të sofistikuara, përmes informacionit, inteligjencës, hapësirës kibernetike, diplomacisë dhe ndikimit politik”, thotë gjenerali në pension.
Racaj e konsideron aftësinë e institucioneve të Kosovës për të zbuluar dhe parandaluar kërcënimet informative si një tregues të rëndësishëm të fuqisë dhe pjekurisë së shtetit.
“Pyetja kryesore nuk duhet të jetë vetëm ‘Kush po spiunon Kosovën?’, por edhe ‘Sa të afta janë institucionet e Kosovës për të zbuluar, parandaluar dhe neutralizuar çdo veprimtari që rrezikon sigurinë kombëtare?’
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është një nga matësit më të rëndësishëm të pjekurisë së shtetit të Kosovës. Në shekullin XXI, mbrojtja e shtetit nuk kryhet vetëm në kufij dhe përmes mjeteve ushtarake; ajo kërkon edhe mbrojtjen e informacionit, institucioneve dhe vetëdijes së qytetarëve”, ka përfunduar Prof. dr. Muhamet Racaj për “Bota sot”.
