Të paktën 475 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërruese që përfshinë zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit. Ndërkohë, ekipet e emergjencës po përballen me mundësinë e një vale të re vërshimesh.
Të lidhura
None found
Operacionet e shpëtimit pranë kufirit Nepal-Tibet janë ndërprerë nga autoritetet kineze. Vendimi lidhet me frikën se një liqen i krijuar së fundmi nga rritja e nivelit të ujit mund të çajë barrierat mbrojtëse dhe të shkaktojë një tjetër përmbytje.
Numri i personave të zhdukur në zonën mes Nepalit dhe Tibetit llogaritet në qindra. Sipas zyrtarëve lokalë, katastrofa nisi pas shembjes së një akullnaje, e cila solli një masë të madhe uji. Përmbytjet përfshinë banesa dhe rrugë, ndërsa shkatërruan edhe një pikë të rëndësishme të kalimit kufitar mes dy territoreve.
Edhe pse kërkimet për të mbijetuarit vazhdojnë, paralajmërimi për një valë të dytë ka shtuar shqetësimin në zonën e goditur. Rajoni, i cili është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe pritet çdo vit nga dhjetëra mijëra vizitorë, vijon të mbetet në qendër të operacioneve të shpëtimit. Familjarët e të zhdukurve presin ende informacion për të afërmit e tyre.
Ushtria nepaleze ka nxjerrë nga zonat e përmbytura rreth 900 persona, mes të cilëve edhe shtetas të huaj. Kërkimet janë përqendruar veçanërisht në distriktet Rasuwa dhe Nuwakot.
Nga 900 të shpëtuarit, 119 janë shtetas të huaj dhe 92 prej tyre janë indianë. Shtetasit e Indisë përbëjnë grupin më të madh të turistëve të huaj të prekur nga përmbytjet. Gjenerali i brigadës Rajaram Basnet, zëdhënës i ushtrisë nepaleze, deklaroi se “nuk kishte parë kurrë në jetën e tij një katastrofë të tillë”.
