Interneti, ndër të tjera, është burim i madh informacioni për shëndetin.
Sipas të dhënave të Eurostat, 33% e shqiptarëve të moshës 16-74 vjeç përdorën internetin për të kërkuar në Google informacione që u takojnë çështjeve të shëndetit në vitin 2020.
Por në krahasim me vendet e tjera të Europës, Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit, si Bosnja, Rumania dhe Bullgaria kishin përqindje të ulëta të kërkimeve në internet për shëndetin.
Një në dy shtetas të BE-së (55%) të moshës 16-74 vjeç raportuan se kishin kërkuar informacione shëndetësore në internet në lidhje me dëmtime të ndryshme, sëmundje, ushqimin, përmirësimin e shëndetit dhe të tjera informacione që lidheshin me kujdesin për shëndetin.
Për më tepër, 20% e qytetarëve të BE-së raportuan se caktuan takime në internet për seanca terapie fizike dhe të tjera.
Më pak (13%) kanë përfituar shërbime shëndetësore nëpërmjet një faqe në internet ose aplikacioneve, në vend që të vizitojnë spitalin ose një mjek fizikisht. Ndërsa 11% e qytetarëve dhanë të dhënat e tyre personale shëndetësore në internet.
Në vitin 2020, përqindja më e lartë u regjistrua në Finlandë, ku 77% e njerëzve të moshës 16-74 vjeç kërkuan në internet për tema të lidhura me shëndetin në tre muajt e fundit para sondazhit, ndjekur nga Holanda (76%), Danimarka (72%) ) dhe Gjermania (70%).
Në të kundërt, interesi më i ulët ishte në Rumani me (28%), Bullgari (29%), Itali (35%; të dhëna 2019) Shqipëri me 33%.
Gjatë dekadës së fundit, pjesa e individëve që kërkojnë informacion shëndetësor në internet është rritur në shumicën dërrmuese të vendeve në Europë.
Ofruesit e kujdesit shëndetësor e dinë që kur pacientët e tyre përjetojnë simptoma të sëmundjeve, instinkti i parë nuk është gjithmonë të telefononi në zyrën e mjekut, por kërkimi në internet.
Po profesionistët e fushës këshillojnë se shpesh përgjigjet e kërkimit nuk janë të sakta dhe bëhen shkak për shmangien e vizitës tek mjeku.
Mjekët këshillojnë se, vizitat personale në zyrë janë gjithmonë metoda më e mirë për të gjetur zgjidhjen pasi në këtë mënyrë trajtohet historiku i pacientit dhe i sëmundjes që është përcaktues kryesor për vënien e diagnozës. Ekspertët e mjekësisë sugjerojnë konsultat mjekësore në internet duke komunikuar direkt me mjekun personal ose të familjes nëpërmjet aplikacioneve të internetit.
Asnjë burim në internet nuk është një zëvendësim për një vizitë tek mjeku, por interneti është një mjet i vlefshëm për të përmirësuar mënyrën e jetesës./