Vladimir Putin ka urdhëruar pezullimin për tri ditë të sulmeve ajrore ndaj Kievit, në kuadër të vizitës së dy përfaqësuesve amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Të lidhura
None found
Lajmi u konfirmua në Moskë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Peskov shpjegoi se ndërprerja lidhet me “përgatitjen dhe fillimin e kontakteve” me delegacionin amerikan. Armëpushimi i përkohshëm do të nisë në orët e para të së dielës dhe do të jetë në fuqi për tri ditë.
Zëdhënësi i Kremlinit bëri të ditur edhe se Putin do të takohet këtë të shtunë, më 05.09.2026, me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Më herët, Ukraina kishte njoftuar se për shkak të kësaj vizite nuk do të rrezikonte hapësirën ajrore të Rusisë për një periudhë tri ditore.
Presidenti Donald Trump deklaroi të premten, më 04.09.2026, se Uashingtoni ka ndërmarrë një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Duke folur për Witkoff dhe Kushner, Trump i cilësoi ata si “dy negociatorë të shkëlqyer” dhe shtoi: “Ne i kemi dërguar atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka.”
Dy negociatorët amerikanë kanë marrë me vete në Moskë një plan të SHBA-së për përfundimin e konfliktit, të cilin synojnë ta paraqesin gjatë takimeve.
Pas një ndërprerjeje, Shtetet e Bashkuara po rifillojnë angazhimin e tyre ndërmjetësues për përfundimin e luftës sulmuese ruse, e cila ka hyrë në vitin e katërt e gjysmë. Witkoff dhe Kushner e kanë vizituar disa herë Moskën, ndërsa të dielën pritet të udhëtojnë për herë të parë edhe drejt Kievit.
