Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se refuzimi i gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta mbështetur Bekim Sejdiun në postin e presidentit nuk buron nga kandidatura e tij, por nga qëndrimi i tyre ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Intervista e Javës”, ajo deklaroi se Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi do ta kundërshtonin marrëveshjen me LVV-në edhe nëse për president do të propozohej një figurë tjetër që gëzon konsensus.
Sipas Kusari-Lilës, këta deputetë nuk e kanë cilësuar profesorin Bekim Sejdiu si të papërshtatshëm për këtë detyrë. Ajo tha se kundërshtimi i tyre lidhet kryesisht me Albin Kurtin dhe me faktin se, pavarësisht përplasjeve politike, Vetëvendosje dhe partnerët e saj vazhdojnë të fitojnë zgjedhje, ndërsa mbështetja qytetare për kryeministrin po rritet.
Ajo shtoi se, nëse në vend të Sejdiut do të ishte propozuar një kandidat tjetër, qasja e gjashtë deputetëve do të kishte qenë e njëjtë, pasi problemi i tyre, sipas saj, nuk qëndron te emri i kandidatit për president.
Duke komentuar marrëveshjen politike dhe marrëdhëniet me LDK-në, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cilësoi ende të vlefshme marrëveshjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut. Ajo tha se do të dëshironte që edhe gjashtë deputetët e LDK-së ta mbështesnin atë.
Kusari-Lila përmendi raste të mëparshme kur përfaqësues të LDK-së kanë votuar kandidatë për president që nuk kanë qenë pjesë e subjektit të tyre politik. Në këtë kuadër, ajo përmendi zgjedhjen e Hashim Thaçit dhe Atifete Jahjagës, ndërsa theksoi se edhe vetë ka mbështetur një kandidate jashtë partive politike.
Ajo iu drejtua veçanërisht deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, duke thënë se ai nuk është privuar nga e drejta për të qenë përfaqësues i kësaj partie në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për të vepruar si opozitar. Sipas saj, Shala do ta ketë mandatin e tij të pakufizuar gjatë legjislaturës së ardhshme.
Kusari-Lila nënvizoi gjithashtu se Albin Kurti mbetet propozimi për mandatarin e ardhshëm për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
E pyetur për kërkesat e Aleancës, përfshirë gazin amerikan si kusht për mbështetjen e presidentit, ajo shprehu dyshime se ato do të zbatohen.
Sipas saj, nuk është e arsyeshme që një subjekt politik me shtatë deputetë t’i kërkojë partisë së parë të zbatojë projekte të mëdha kapitale që lidhen me programin qeverisës.
Kusari-Lila tha se një parti që ka dalë e katërta mes subjekteve shqiptare nuk mund t’ia imponojë partisë së parë projekte madhore, veçanërisht në sektorë si kapacitetet energjetike, të cilat kërkojnë shumë vite dhe prekin disa gjenerata. Ajo sqaroi se programi qeverisës duhet të diskutohet dhe të miratohet nga subjektet që marrin përgjegjësinë për qeverisjen.
Kryetarja e Alternativës foli edhe për vonesat në konstituimin e Kuvendit. Ajo nuk e përshkroi situatën si anarki, por si një periudhë të nevojshme për arritjen e një vendimmarrjeje cilësore që do t’i mundësonte Kosovës krijimin e institucioneve.
Sipas saj, pas një numri seancash të pasuksesshme, të mbajtura çdo 48 orë, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që afati të niste nga fillimi dhe që palët të dakordoheshin brenda 30 ditësh. Kusari-Lila tha se ky vendim ishte marrë pasi kishte kaluar afati 30-ditor nga certifikimi.
Ajo shtoi se, në frymën e aktgjykimit që kërkon konsensus dhe dakordim ndërmjet partive, janë zhvilluar takime politike. Megjithatë, sipas saj, edhe pa një marrëveshje për presidentin, seanca duhej të thirrej, pasi qeveria ka detyrime që kërkojnë institucione me kompetenca të plota, të paktën për miratimin e projektligjeve.
E pyetur nëse zvarritja e konstituimit mund të ketë qenë pjesë e një strategjie për t’i çuar zgjedhjet e ardhshme në dhjetor, Kusari-Lila e mohoi këtë. Ajo tha se synimi i tyre ka qenë shmangia e zgjedhjeve dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, ata që pretendojnë se vonesat janë të qëllimshme për të shkuar në zgjedhje gabohen. Kusari-Lila deklaroi se kundërshtarët politikë po përqendrohen te pyetja se kush mund t’i afrojë zgjedhjet, ndoshta për të shmangur një pjesëmarrje më të lartë të bashkatdhetarëve në votime. Ajo e cilësoi këtë si të kundërtën e një procesi demokratik.
Kusari-Lila komentoi edhe pretendimet se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund ta dijë përmbajtjen e aktgjykimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Ajo e përjashtoi një mundësi të tillë, duke thënë se as Kurti dhe asnjë person tjetër në Kosovë apo jashtë saj nuk mund ta dijë përmbajtjen e vendimit para shpalljes zyrtare.
Sipas saj, pretendimet e tilla janë vetëm spekulime dhe nuk duhet të ushqehen. Ajo kujtoi se, edhe në rastet e mëparshme të vendimeve të sistemit të drejtësisë brenda Kosovës, përmbajtja e verdiktit final nuk është bërë e ditur deri në momentin e shpalljes.
Kusari-Lila tha se Gjykata Speciale është institucion i votuar nga Kuvendi i Kosovës dhe se, për shkak të natyrës së saj, ka shumë pak hapësirë për marrjen e informacionit paraprak. Ajo theksoi se vendimmarrja dhe shpallja e aktgjykimit u takojnë vetëm këtij institucioni./E. Zeqiri
