Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi se propozimi i parë i kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kishte qenë krijimi i një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Sipas Gashit, Kuvendi i LDK-së i kishte dhënë Abdixhikut mandatin për të zhvilluar negociata dhe për të arritur një koalicion me LVV-në.
Megjithatë, pas zhvillimit të disa takimeve, Abdixhiku i kishte informuar anëtarët e Grupit Parlamentar të LDK-së se një koalicion ose çfarëdo forme bashkëpunimi me LVV-në nuk mund të realizohej.
“Duhet që kjo situatë të sqarohet në mënyrë më të plotë. Në fillim, kryetari i LDK-së kishte kërkuar që të ndërtonte një koalicion me LVV-në, ndërsa Kuvendi i LDK-së e kishte autorizuar për ta bërë këtë. Pas disa takimeve, ai u paraqit para Grupit Parlamentar dhe tha se krijimi i koalicionit apo i një forme bashkëpunimi ishte i pamundur”, ka deklaruar Gashi.
Ai theksoi se skadimi i afateve kushtetuese dhe ligjore e ka futur Kosovën në një periudhë të ndjeshme, të shoqëruar me paqartësi kushtetuese.
Gashi bëri të ditur gjithashtu se në takime ishte vlerësuar gjerësisht se zhvillimet e fundit mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa, sipas tij, ekziston bazë që kjo çështje t’i përcillet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
