Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë vendimesh dhe projektligjesh që përfshijnë mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin, sigurinë publike, administrimin e objekteve të konfiskuara dhe marrëveshjet fiskale me shtete të tjera.
Mbledhja e qeverisë u zhvillua më 02.09.2026.
Të lidhura
None found
Ndër vendimet e miratuara janë përcaktimi i veprimtarive që cilësohen të rrezikshme për mjedisin dhe kriteret për vlerësimin e kërcënimit të mundshëm, si dhe përcaktimin e dëmit në mjedis.
Gjithashtu, u miratuan ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 716, datë 26.11.2025, për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak.
Qeveria vendosi të ndryshojë edhe vendimin Nr. 181, datë 30.3.2022, për përdorimin e fondit të rindërtimit në financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë, të ndryshuar.
Një tjetër vendim përcakton kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.
Po në këtë mbledhje u miratuan edhe disa projektligje që lidhen me marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Njëri prej tyre parashikon ratifikimin e marrëveshjes mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, si dhe për parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, së bashku me protokollin përkatës.
Projektligji tjetër lidhet me ratifikimin e protokollit që ndryshon marrëveshjen e 6 prillit 2010, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal në lidhje me taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin. Kjo marrëveshje është ratifikuar me ligjin nr.10 287, datë 10.6.2010.
Ndryshime dhe shtesa u propozuan edhe në ligjin nr. 66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.
