Ministri i Transportit dhe Komunikacionit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se zgjidhja e vetme për transportuesit, të cilët mund të qëndrojnë në Bashkimin Evropian vetëm 90 ditë, është arritja e marrëveshjeve dypalëshe me secilin vend anëtar të BE-së.
Të lidhura
None found
Disa ditë më parë, transportues nga vendet e Ballkanit Perëndimor protestuan përpara misioneve të Bashkimit Evropian. Ata kërkuan që kufizimi i qëndrimit në zonën Shengen të mos zbatohet ndaj tyre, duke theksuar se udhëtojnë për të transportuar mallra dhe jo për qëllime turistike.
I pyetur nga gazetarët se cilat do të ishin hapat e ministrisë pas përgjigjes së Brukselit zyrtar, Nikolloski tha se qëndrimi i Unionit ishte i njëjtë me atë që ishte përsëritur prej muajsh.
“Nuk besoj se Brukseli dha një përgjigje negative. Ai përsëriti qëndrimin e shprehur prej muajsh: kjo çështje mund të zgjidhet në dy drejtime. Në strategjinë e re të transportit, BE-ja i ka cilësuar transportuesit si profesionistë, ndërsa rruga e vetme e mundshme janë marrëveshjet dypalëshe për viza pune afatgjata. Ne tashmë kemi lidhur dhe po lidhim marrëveshje të tilla, ndaj kjo mbetet zgjidhja e vetme”, tha Nikolloski.
