Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin për president, Bekim Sejdiun, i cili u propozua përmes marrëveshjes së LVV-së me LDK-në.
Të lidhura
None found
Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit. Ata e kanë arsyetuar qëndrimin e tyre si kundërshtim ndaj bashkëpunimit me LVV-në dhe ndaj “zgjatjes së pushtetit” të Albin Kurtit.
PDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, e kanë bërë të ditur kundërshtimin e tyre që në fillim, pa marrë parasysh emrin e kandidatit të propozuar.
PDK-ja, e cila në Kuvendin e Kosovës ka 22 deputetë, ka refuzuar bashkëpunimin me Kurtin si për formimin e Qeverisë, ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit. Kjo parti ka deklaruar se gjatë këtij mandati do të mbetet në opozitë.
AAK-ja, me shtatë deputetë, ka vendosur gjashtë kushte për mbështetjen e institucioneve dhe ka refuzuar takimin me Kurtin pa u përmbushur më parë këto kërkesa.
Analisti politik Lirim Gashi, në një deklaratë për “Bota sot”, është pyetur nëse PDK-ja dhe AAK-ja duhet ta rishikojnë qëndrimin e tyre dhe ta votojnë Bekim Sejdiun. Sipas tij, të dyja partitë duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë mundësi.
Gashi thekson se vota për Sejdiun nuk duhet të shihet automatikisht si mbështetje për marrëveshjen Kurti-Abdixhiku, pasi ajo mund të nënkuptojë para së gjithash përpjekjen për funksionalizimin e institucioneve.
“Mendoj se PDK-ja dhe AAK-ja duhet ta rishqyrtojnë seriozisht qëndrimin e tyre. Kjo nuk do të ishte një favor për Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun apo ndonjë subjekt tjetër politik, por një vendim në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Nëse për një kohë të gjatë është kërkuar që vendi të çlirohet nga bllokada institucionale, atëherë një mundësi konkrete për tejkalimin e saj duhet të trajtohet me përgjegjësi shtetërore dhe jo vetëm përmes llogarive partiake.

Mbështetja për Bekim Sejdiun nuk duhet interpretuar medoemos si votë pro marrëveshjes Kurti-Abdixhiku. Ajo mund të jetë, mbi të gjitha, votë për funksionimin e shtetit. Një parti opozitare nuk duhet të frikësohet nga funksionalizimi i institucioneve vetëm pse një marrëveshje politike e ka krijuar këtë mundësi”, ka deklaruar Gashi.
Sipas analistit, opozita ka të drejtë të mos e përkrahë çdo marrëveshje të arritur nga shumica. Megjithatë, ajo duhet të dallojë mes kundërshtimit politik dhe detyrimit për të mbrojtur interesin institucional.
“Është e drejtë e PDK-së dhe AAK-së të mos e mbështesin kandidaturën. Demokracia u jep mundësinë të kundërshtojnë, të mos pajtohen dhe të propozojnë alternativa.
Por kjo e drejtë shoqërohet edhe me përgjegjësi. Nëse këto parti kanë vërejtje të caktuara për Bekim Sejdiun, për integritetin, kompetencat, përvojën ose përshtatshmërinë e tij për postin e presidentit, ato duhet t’ia bëjnë të qarta opinionit publik.
Nëse, në anën tjetër, arsyeja kryesore e refuzimit është vetëm fakti se Sejdiu është rezultat i marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së, atëherë marrëveshja partiake po vendoset mbi nevojën e institucioneve.
Presidenti i Kosovës nuk është president i LVV-së, LDK-së, PDK-së apo AAK-së. Ai duhet të jetë President i Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.
Ai paralajmëron se vendi mund të përfshihet sërish nga një cikël i bllokimit politik. Sipas Gashit, Kosova nuk mund të rikthehet vazhdimisht në të njëjtin rreth vicioz, ku partitë kërkojnë institucione funksionale kur janë në opozitë, por e konsiderojnë kompromisin si humbje politike kur ai bëhet i mundur.
Gashi u bën thirrje PDK-së dhe AAK-së që situatën të mos e trajtojnë si një garë për të përcaktuar se cili subjekt po fiton pikë ndaj tjetrit, por si një mundësi për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.
“Rreziku është real dhe nuk duhet nënvlerësuar. Kosova nuk ka luksin të mbetet gjithmonë në të njëjtin cikël, ku funksionalizimi i institucioneve kërkohet vetëm nga opozita, ndërsa një kompromis konkret shihet si humbje sapo paraqitet.
Një qasje e tillë nuk i shërben demokracisë dhe aq më pak shtetit. Politika përfshin edhe kompromisin. Në një demokraci të shëndetshme nuk fiton gjithmonë pala që merr gjithçka që kërkon. Në disa raste, shteti fiton pikërisht kur palët pranojnë të heqin dorë nga një pjesë e kërkesave të tyre.
Do të ishte më e dobishme që PDK-ja dhe AAK-ja ta shihnin këtë moment si një mundësi për mbylljen e një kapitulli të gjatë të bllokadës, jo si përballje për të matur se kush po përfiton politikisht.
Një marrëveshje politike nuk duhet vlerësuar vetëm sipas përfitimit të një partie, por edhe sipas asaj që fitojnë shoqëria dhe shteti”, është shprehur ai.
I pyetur nëse refuzimi i Sejdiut buron nga një parim politik apo nga një përplasje me shumicën e re, Gashi ka thënë se këtë duhet ta përcaktojnë vetë PDK-ja dhe AAK-ja.
Megjithatë, ai vlerëson se debati duhet të largohet nga fakti se kush e ka propozuar Sejdiun dhe të përqendrohet te pyetja se çfarë presidenti do të mund të ishte ai për Republikën e Kosovës.
“Nuk do t’u atribuoja PDK-së dhe AAK-së motive që ato nuk i kanë deklaruar vetë. Por një qëndrim parimor duhet të mbështetet në argumente po të tilla.
Nëse arsyeja është se Sejdiu është kandidat i marrëveshjes Kurti-Abdixhiku, atëherë kemi të bëjmë me një kundërshtim politik. Nëse refuzimi lidhet me personalitetin e tij, profesionalizmin, përvojën ose vizionin për institucionin e presidentit, atëherë kemi një argument që duhet të diskutohet seriozisht.
Prandaj, vëmendja duhet të zhvendoset nga pyetja se kush e propozoi Bekim Sejdiun te ajo se çfarë roli dhe çfarë Presidenti mund të jetë ai për Republikën e Kosovës. Kështu debati do të ngrihej nga kalkulimi partiak në nivelin e interesit institucional”, ka theksuar analisti.
Gashi e konsideron Sejdiun një kandidat të dalë nga një marrëveshje ndërpartiake dhe e sheh këtë si zhvillim pozitiv. Ai thotë se LVV-ja dhe LDK-ja kanë shfaqur gatishmëri për kompromis lidhur me një çështje të rëndësishme për funksionimin e institucioneve.
“Do të isha i kujdesshëm në përdorimin e shprehjes ‘kandidat konsensual’. Në kuptimin e plotë, kandidat konsensual do të ishte ai që gëzon pajtim dukshëm më të gjerë politik.
Megjithatë, nuk mund të mohohet se Bekim Sejdiu është rezultat i një marrëveshjeje ndërpartiake, dhe kjo në vetvete është pozitive. LVV-ja dhe LDK-ja kanë treguar se janë të gatshme të bëjnë kompromis për një çështje me rëndësi të veçantë për funksionimin institucional.
Tashmë edhe opozita duhet të tregojë nëse është e gatshme të bëjë një hap drejt kompromisit, nëse vlerëson se kjo i shërben Republikës. Konsensusi nuk krijohet vetëm duke kërkuar që pala tjetër të lëvizë. Ai ndërtohet atëherë kur secila palë pranon të ndryshojë pozicionin e vet”, ka shtuar Gashi.
Analisti u ka kërkuar PDK-së dhe AAK-së që, nëse e vlerësojnë Sejdiun si të papërshtatshëm për postin, t’ua shpjegojnë qytetarëve arsyet me argumente konkrete.
“Mesazhi im do të ishte i thjeshtë: mos votoni Kurtin dhe mos votoni Abdixhikun, por votoni atë që e konsideroni më të mirë për Republikën e Kosovës.
Nëse mendoni se Bekim Sejdiu është i denjë dhe i përshtatshëm për këtë detyrë, atëherë mbështeteni. Nëse mendoni të kundërtën, qytetarët duhet të informohen qartë dhe me argumente se përse nuk duhet votuar.
Ajo që duhet shmangur është kthimi i Kosovës në peng të një konflikti të pafundëm mes partive. Qytetarët nuk e shohin shtetin përmes llogoreve partiake. Ata duan të dinë nëse institucionet punojnë, nëse vendi po përparon dhe nëse politika është në gjendje të gjejë zgjidhje.
Pyetja kryesore nuk duhet të jetë se kush fitoi, LVV-ja apo PDK-ja. Duhet të pyetet nëse institucionet janë funksionale, nëse shteti po vepron dhe nëse Kosova po ecën përpara. Kjo duhet të udhëheqë çdo vendim politik”, ka nënvizuar ai.
Në përfundim, Gashi ka thënë se Kosovës nuk i nevojitet një tjetër fitues partiak, por një rezultat që forcon institucionet.
“Nëse Bekim Sejdiu është kandidat i denjë, PDK-ja dhe AAK-ja nuk duhet të druhen ta votojnë vetëm nga frika se një veprim i tillë mund ta fuqizojë Kurtin.
Një shtet funksional nuk e forcon vetëm qeverinë, por edhe opozitën. Për të qenë e fortë, opozita nuk ka nevojë për institucione të bllokuara. Ajo duhet ta sfidojë qeverinë brenda institucioneve që funksionojnë, përmes argumenteve, alternativave dhe politikave më të mira.
Nëse PDK-ja dhe AAK-ja e kanë kërkuar vazhdimisht funksionalizimin e institucioneve, tani është koha të dëshmojnë se ky qëndrim nuk ka qenë thjesht mjet për kritikën ndaj shumicës, por një bindje e sinqertë në interes të Republikës.
Partitë dhe qeveritë ndryshojnë, ashtu siç ndryshojnë edhe shumicat. Institucionet mbeten dhe shteti duhet të jetë gjithmonë mbi çdo parti”, ka përfunduar Gashi.
