Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka komentuar në rrjetet sociale zhvillimet që lidhen me marrëdhëniet e politikës shqiptare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Muçollarit, Edi Rama e ka përdorur për vite me radhë Amerikën si instrument presioni ndaj opozitës, duke e paraqitur atë si një hapësirë nën ndikimin e tij, njësoj si drejtësia, parlamenti, media dhe shoqëria civile.
Të lidhura
None found
Ai pretendon se përmes ndikimit të Soros dhe joshjeve korruptive, kryeministri e shndërroi SHBA-në në një mjet për të goditur kundërshtarët politikë, duke i shkaktuar dëme PD-së dhe opozitës.
Muçollari shprehet se demokratët e kanë kundërshtuar këtë situatë dhe kanë vijuar përballjen, pasi, sipas tij, e dinin se Amerika nuk mund të ishte ajo që u paraqit nga Edi Rama. Ai i cilëson zhvillimet e mëparshme si rezultat të koniunkturave, lobimit dhe korrupsionit.
Si dëshmi të ndryshimit të situatës, ai përmend faktin se Sali Berisha nuk është më non-grata dhe se po udhëton drejt SHBA-së për të marrë pjesë në një aktivitet të republikanëve.
Në të njëjtën kohë, Muçollari thotë se Edi Rama përmendet në dy procese gjyqësore në SHBA. Njëri prej tyre lidhet me çështjen ndaj McGonigal, ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, për të cilin ai pretendon se u përdor nga kryeministri për të sulmuar PD-në.
Rama përmendet gjithashtu, sipas Muçollarit, në një proces në Miami, ku miku i tij, Roni Yeffet, është paditur për mashtrim. Sipas paditësit, Yeffet ka përdorur Edi Ramën për t’i marrë atij disa miliona.
Anëtari i Kryesisë së PD-së shton se kryeministri është përmendur edhe nga mediat e mëdha amerikane, pas bashkimit në një biznes të dhëndrit të Presidentit Trump me një gangster të kërkuar nga drejtësia.
“Gjërat duket se po shkojnë në vendin e tyre”, shkruan Muçollari, duke e përshkruar situatën si një lloj përmbysjeje.
