Florenc Farruku u aktivizua nga stoli dhe u shndërrua në protagonistin kryesor të Dinamos, duke i siguruar skuadrës fitoren 1–0 ndaj Skënderbeut me një gol të shënuar në minutat e fundit. Pas takimit, sulmuesi foli për tri pikët e marra dhe ambiciet e “bluve” në sezonin e ri të Superiores.
Të lidhura
None found
“Na u anuluan dy gola dhe morëm një karton të kuq. Edhe kartoni i parë i verdhë për Qardakun mund të ishte shmangur nga arbitri. Megjithatë, këto janë pjesë e lojës dhe ne arritëm ta fitonim ndeshjen.
Tri pikët janë shumë të rëndësishme për ne. Në përballjen me Vorën patëm shumë ndryshime në formacion, ndërsa shumica e lojtarëve të formacionit bazë nuk kishin luajtur më parë së bashku.
Fatmirësisht, morëm tri pikët kundër Skënderbeut. Për ne, kampionati nis tani dhe besoj se do të gjejmë ritmin e duhur. Dinamo ka luajtur gjithmonë futboll dhe ka qenë dominuese ndaj kundërshtarëve.
Golin ia dedikoj familjes sime, si edhe engjëllit tim, vëllait tim. Ia kushtoj gjithashtu ekipit, stafit dhe presidentit. Egnatia është një skuadër shumë e fortë, por ne jemi Dinamo dhe synojmë të shpallemi kampionë për herë të 19-të”.
