Duke filluar nga sot (1 Shtator 2026), operatorët e transportit publik, paralajmërojnë reduktimin e flotës për shkak të kostove të larta të operimit dhe mosrealizimit të kompensimit për karburantin.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet. Vendimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme të operatorëve për zgjatjen me të paktën tre muaj të periudhës së kompensimit të naftës, pasi kostot e operimit me flotë të plotë janë bërë të papërballueshme.
Të lidhura
None found
Efekti pritet të ndihet drejtpërdrejt nga qytetarët. Më pak mjete në qarkullim do të nënkuptojnë ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve mes autobusëve, mbingarkesë të mjeteve që do të vijojnë të operojnë dhe vështirësi më të mëdha për qytetarët që varen çdo ditë nga transporti publik.
KËRKESA
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme institucionale. Në kërkesën e datës 31 gusht 2026, shoqatat ngrenë shqetësimin për situatën financiare të operatorëve të transportit publik, e cila, sipas tyre, ka arritur në një nivel që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë për të vijuar ofrimin e shërbimit me kapacitet të plotë. Masa e paralajmëruar është e drejtpërdrejtë: nga 1 shtatori operatorët do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional të secilit operator. Shoqatat theksojnë se reduktimi nuk paraqitet si një zgjedhje, por si pasojë e pamundësisë financiare për të përballuar kostot e operimit të flotës së plotë. Karburanti, sipas tyre, është një nga zërat kryesorë të kostove të aktivitetit.
KOMPENSIMI
Një nga shqetësimet kryesore të operatorëve lidhet me kompensimin e kostove të karburantit. Në dokument thuhet se, pavarësisht kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse, për një pjesë të problematikave të ngritura ende nuk është dhënë përgjigje apo zgjidhje konkrete institucionale. Sipas shoqatave, kjo situatë, e kombinuar me nivelin e lartë të çmimeve të karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve. Shoqatat kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin përgjigje konkrete për kërkesat e paraqitura dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim.
PARALAJMËRIMI
Operatorët argumentojnë se operimi me flotën e reduktuar do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe vazhdimësinë e transportit publik. Ata kërkojnë trajtimin me prioritet të situatës, me synim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional. Në thelb, letra e dy shoqatave vendos përballë institucioneve një problem me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët: nëse nuk gjendet një zgjidhje financiare për operatorët, reduktimi i flotës pritet të përkthehet në më pak autobusë, më shumë pritje dhe mbingarkesë në transportin publik.
