Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një mbledhje ku marrin pjesë edhe kryetarë të komunave që drejtohen nga kjo parti, si dhe anëtarë të tjerë.
Të lidhura
None found
Takimi, sipas burimeve të KosovaPress, lidhet me organizimin e marshit të 12 shtatorit, i cili do të mbahet para vendimit për katërshen e UÇK-së në Hagë. Nga PDK-ja është bërë e ditur se do të organizohet protesta.
Gjatë kësaj kohe, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se nuk ka zhvillime të reja në marrëveshjen mes LVV-së dhe LDK-së për kandidatin për president të Kosovës.
Musliu tha se propozimi i Bekim Sejdiut ka qenë i pritshëm dhe i ditur më herët.
“Sikurse e kam parë dje dhe pardje, nuk ka asgjë të re. Ka qenë e ditur”, u shpreh shkurt Musliu.
LVV-ja dhe LDK-ja u dakorduan më 31 gusht që Bekim Sejdiu të jetë kandidati për president të Kosovës.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Në dy përpjekjet e deritanishme nuk është arritur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe përfundimi i procesit të konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive vazhdon të mbetet burim përplasjesh mes partive parlamentare, ndërsa pamundësia për krijimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për të arritur një marrëveshje politike që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Në anën tjetër, PDK-ja dhe Aleanca kanë vijuar aksionet politike me kërkesën që të mbahet seanca konstituive.
