Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor të përfshihet edhe anëtari i saj i tretë.
Të lidhura
None found
Kërkesa u bë e ditur nga Hysen Durmishi, i cili është betuar së fundmi si përfaqësues i LVV-së në KQZ. Sipas tij, vendimi përfundimtar lidhur me këtë çështje i takon ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
“Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesë edhe për anëtarin e tretë, ndërsa për këtë do të vendosë ushtruesja e presidentes”, deklaroi Durmishi pas dekretimit të tij në detyrën e anëtarit të KQZ-së.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur pretendimin për një ulëse të dytë në Komisionin Qendror Zgjedhor. Përfaqësuesi i saj në këtë institucion, Rashit Qalaj, nuk pranoi të komentonte për mediat rreth kësaj çështjeje.
Të hënën, Albulena Haxhiu, në rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes, dekretoi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Me dekretimin e tyre, KQZ-ja ka aktualisht nëntë anëtarë, ndërsa ulësja e dhjetë vazhdon të mbetet e paplotësuar. Për këtë pozitë garojnë LVV-ja dhe PDK-ja.
Hysen Durmishi dhe Violeta Durmishi janë dy përfaqësuesit e LVV-së në KQZ.
Rashit Qalaj përfaqëson PDK-në, Ilir Fetahu LDK-në, ndërsa Muharrem Nitajn AAK-në. Katër vendet e tjera u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë.
Edhe në mandatin e kaluar, Albulena Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, nuk kishte dekretuar anëtarin e dhjetë të KQZ-së. Për këtë ulëse LVV-ja kërkon të vendosë përfaqësuesin e saj të tretë, ndërsa PDK-ja synon përfaqësuesin e dytë.
