Tri vrasje tronditën Kosovën vetëm gjatë javës së fundit: një rast ndodhi në Malishevë, ndërsa dy të tjera në Prizren.
Të lidhura
None found
Në mesnatën e së enjtes, një 15-vjeçar humbi jetën pasi u ther nga një 17-vjeçar. Megjithatë, ai nuk ishte viktima e vetme e asaj jave.
Të hënën, në Malishevë, u vra një grua shtatzënë, 25 vjeç. Dy ditë më vonë, të mërkurën, një grua 80-vjeçare dyshohet se u vra në Prizren. Për të dyja vrasjet, dyshimet bien mbi bashkëshortët e viktimave.
Rastet e fundit nuk janë të vetmet që tregojnë përmasat e këtij fenomeni. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë raportuar 13 vrasje, ndërsa përgjatë vitit 2025 numri i tyre ishte 19.
Policia bëri të ditur gjithashtu se, sa u përket vrasjeve të ndodhura brenda familjes nga janari deri më 26 gusht 2026, janë regjistruar katër viktima të gjinisë femërore. Në këtë shifër përfshihet edhe viktima e rastit në Prizren.
Sociologu Genc Xërxa deklaron për Tëvë1 se këto ngjarje shkaktohen nga një sërë faktorësh. Sipas tij, shoqëria vazhdon të jetë patriarkale dhe gruaja shpesh perceptohet më shumë si pronë sesa si partnere e përkushtuar dhe e barabartë në marrëdhëniet familjare.
Xërxa thekson se problem tjetër është normalizimi institucional i dhunës. Ai vlerëson se në disa raste edhe një shuplakë apo një konflikt mes çifteve trajtohet si diçka normale, duke bërë që dhuna të përsëritet dhe më pas të dalë jashtë kontrollit.
Njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku, e konsideron shqetësues për të gjithë shoqërinë numrin e rasteve të vrasjeve. Ai thotë se fatkeqësisht rastet janë në rritje dhe se çdo jetë e humbur përbën humbje të madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për shoqërinë.
Sipas Çollakut, vrasjet e shumta ose të shpeshta krijojnë ndjenjë pasigurie edhe te qytetarët e tjerë, veçanërisht kur viktimat janë gra. Për këtë arsye, ai kërkon reagim nga shoqëria në tërësi dhe nga institucionet relevante.
Çollaku ngre si shqetësim edhe mbajtjen e armëve pa leje. Sipas tij, kur vrasja kryhet me armë zjarri, parandalimi duhet të përqendrohet te konfiskimi dhe grumbullimi i armëve ilegale që ndodhen në duart e qytetarëve.
Ai vlerëson se, sipas njohësve të kësaj problematike, qytetarët vazhdojnë të posedojnë një numër të konsiderueshëm armësh pa leje, ndonëse kjo shifër ishte shumë më e lartë 10 ose 20 vjet më parë.
Për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, Çollaku u kërkon institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa më të fuqishme parandaluese.
