Fatmir Sheholli pritet të paraqitet më 7 shtator për herë të parë para gjykatës, ku do të njihet me aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila e ngarkon me veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.
Të lidhura
None found
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca fillestare do të nisë në orën 09:30 dhe do të jetë e qasshme për publikun.
Aktakuza, sipas avokatit Skënder Musa, është voluminoze dhe përmban shumë hollësi, përfshirë çështje që mund të kenë qenë të njohura më herët në opinion, por që tani kanë marrë një epilog institucional lidhur me spiunazhin e shqiptarëve të Kosovës në Republikën e Serbisë.
“Aktakuza ka dalë, ka dalë bukur voluminoze dhe ka shpalosur shumë detaje, që me të vërtetë ndoshta në opinion kanë qenë të ditura, por tashmë i është dhënë epilog shtetëror çështjeve të spiunazhit të shqiptarëve të Kosovës në Republikën e Serbisë”, Skënder Musa, avokat.
Vepra e spiunazhit trajtohet nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës në nenin 124.
Paragrafi 3 i këtij neni përcakton se çdo person që i bashkohet një shërbimi të huaj informativ, mbledh të dhëna për të ose e ndihmon në një formë tjetër veprimtarinë e tij, dënohet me të paktën pesë vjet burgim.
Kjo do të thotë se, nëse gjykata e shpall fajtor për spiunazh, Sheholli përballet me një dënim minimal prej pesë vitesh burgim.
Avokati Musa e cilëson këtë si një vepër penale veçanërisht të rëndë, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e shtetit dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Hyn në kapitullin e veprave të rënda, në kapitullin e veprave kundër integritetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, natyrisht që nuk mund të shqiptohen dënime të lehta. Vetëm nëse kryesi i veprës penale është bashkëpunëtor i Prokurorisë Speciale dhe zbulon raste të tjera, qofshin ato të zyrtarëve të lartë, qofshin ato të ndonjë bashkëpunëtori që punon në institucione, polici, hetuesi, AKI dhe institucione të ndjeshme, atëherë dënimi mund të ulet. Në të kundërtën, këto vepra rrezikojnë direkt rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të Kosovës”, tha avokati Musa.
Përveç akuzës për spiunazh, ndaj Shehollit rëndon edhe akuza për shantazh. Kur plotësohen rrethanat e përmendura në paragrafin 2 të dispozitës përkatëse, Kodi Penal parashikon dënim me gjobë dhe burgim nga një deri në dhjetë vjet.
Kjo masë dënimi zbatohet, ndër të tjera, kur shantazhi kryhet nga një anëtar i grupit, me armë ose mjet të rrezikshëm, apo kur veprimi sjell përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi dhjetë mijë euro.
Pavarësisht akuzave, Fatmir Sheholli vazhdon të konsiderohet i pafajshëm në këtë fazë. Përgjegjësia e tij penale mund të përcaktohet vetëm përmes një vendimi gjyqësor.
Arrestimi i tij u krye më 9 tetor të vitit 2025 në rajonin e Prishtinës, pas një hetimi disa-mujor nga hetuesit e Policisë së Kosovës. Operacioni u zhvillua me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe me ndihmën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Sheholli dyshohej për spiunazh.
