FAZ: Qasja e studentëve serbë ndaj Kosovës rrezikon ta izolojë Serbinë

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e mbajtura më 25 tetor në Serbi u përshëndet me entuziazëm në shumë kryeqytete evropiane. Megjithatë, gazeta me ndikim gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) paralajmëron se qëndrimi i fituesve për Kosovën mund ta çojë Serbinë në izolim.

Analizën e ka hartuar Michael Martens, korrespondent i FAZ-it për Ballkanin, i cili i paraqiti pikat kryesore edhe në tetë postime në rrjetin X.

Të lidhura

None found

Programi i lëvizjes studentore nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Sipas interpretimit të Martensit, ai mund të mos e njohë as shtetësinë e saj: Kosovën e quan “e ashtuquajtura Republikë”, ndërsa institucionet e saj i përshkruan si të përkohshme.

Lëvizja kërkon që zyrtarët që zbatuan marrëveshjet e arritura me Prishtinën më 2023, me ndërmjetësimin e BE-së, të ndiqen penalisht. Lista Studentore i vlerëson këto marrëveshje si antikushtetuese.

Martens ngre gjithashtu pyetjen nëse synimi është transferimi në Prishtinë i universitetit serb që ndodhet në Mitrovicën e Veriut, pa u konsultuar institucionet e Kosovës.

Në politikën e jashtme, programi kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe parashikon forcimin e mëtejshëm të lidhjeve strategjike me Kinën.

Martens vëren se te studentët shfaqet nacionalizmi i trashëguar nga 12 vitet e qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit. Ata morën pjesë në tubimet e organizuara për përvjetorin e Betejës së Kosovës, por nuk reaguan në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.

Gazetari gjerman pranon se programet zgjedhore nuk janë domosdoshmërisht detyruese dhe se lëvizja mund të ndjekë një qasje më pragmatike pasi të vijë në pushtet. Por, nëse programi zbatohet, paralajmëron ai, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe zonat me shumicë boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë mund të bashkërendojnë veprimet kundër Beogradit. Sipas Martensit, kjo do ta izolonte Serbinë, në vend që ta çlironte. Ai shton se vendosja sërish e kontrollit serb mbi Kosovën do të kërkonte një luftë që Serbia do ta humbiste.

Analiza publikohet ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli po u bëjnë thirrje fituesve të krijojnë qeverinë pa vonesa. Një grup senatorësh amerikanë nga të dyja partitë deklaroi se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërkaq, Ilija Sërdanoviq, udhëheqësi i Listës Studentore, ka thënë se qeveria e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Vuçiqit dhe do ta vazhdojë dialogun.

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar lidhur me programin e fituesve në Serbi.


Shtuar më 29.10.2026 11:47