Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, i bëri thirrje Kosovës të hartojë një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike, për t’ia shpjeguar botës luftën çlirimtare në kontekstin e saj dhe rrugëtimin e vendit drejt lirisë e pavarësisë.
Duke folur në Kuvend, Hoxha tha se mbështetja juridike, politike dhe financiare për apelin në Dhomat e Specializuara duhet të shoqërohet me një angazhim të organizuar në fushën e diplomacisë dhe kulturës.
Të lidhura
None found
Sipas saj, një strategji e tillë duhet të paraqesë të plotë kontekstin e luftës çlirimtare dhe të mbrojë dinjitetin e përpjekjes për liri, pa cenuar respektin për drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe pavarësinë e procesit gjyqësor. Ajo theksoi se synimi nuk duhet të kufizohet te reagimi ndaj një aktgjykimi, por të jetë një investim afatgjatë në prezantimin ndërkombëtar të historisë, identitetit dhe përvojës së Kosovës.
Hoxha e cilësoi qasjen e deritanishme të institucioneve si kryesisht reaktive. Ajo vlerësoi se, gjatë gjashtë viteve të procesit në Hagë, jashtë vendit janë prezantuar pak veprimtari kulturore që trajtojnë të vërtetën historike të Kosovës.
Deputetja shprehu shqetësim edhe për investimet e Serbisë në prodhime filmike dhe veprimtari diplomatike, të cilat, sipas saj, e shtrembërojnë historinë e luftës në Kosovë. Përballë kësaj, ajo kërkoi më shumë veprimtari krijuese cilësore që e tregojnë historinë e vendit përmes formave bashkëkohore të shprehjes artistike.
Ndër hapat që propozoi Hoxha janë sigurimi i fotografive të luftës nga fotografët vendorë dhe agjencitë e huaja, si dhe shtimi i fondeve për kërkime shkencore e botime akademike mbi historinë e re të Kosovës.
Ajo tha se në këtë përpjekje duhet të ndërthuren diplomacia historike, kulturore, akademike, mediatike dhe qytetare, me përfshirjen e diasporës dhe aleatëve.
Hoxha kërkoi gjithashtu caktimin e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës dhe hartimin e Strategjisë së Kulturës. Ajo kritikoi mungesën e rezultateve në këto fusha, ndonëse ministritë përkatëse kishin arritur marrëveshje në vitin 2020 dhe koncept dokumenti për art e kulturë ishte miratuar në vitin 2022.
Në fund, deputetja propozoi që Strategjia Shtetërore për Dhomat e Specializuara të zgjerohet me veprimtari diplomatike e kulturore paralele. Sipas saj, këto veprimtari nuk do të ndërhynin drejtpërdrejt në apel, por do t’i ndihmonin partnerët ndërkombëtarë të kuptonin më mirë kontekstin e luftës së Kosovës për liri.

