Infermieri Enlirat Duraku i ka dërguar një letër të hapur Komisionit Disiplinor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes së cilës kërkon shqyrtimin e veprimeve të drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, lidhur me një denoncim ndaj një infermiereje të kësaj klinike.
Të lidhura
None found
Duraku kërkon që rasti të analizohet me kujdes dhe të përcaktohet nëse denoncimi ndaj infermieres është mbështetur në fakte dhe prova. Sipas tij, ajo ishte akuzuar për vjedhjen e klipave.
Në letrën e tij, infermieri kritikon organizatat që kanë për detyrë mbrojtjen e të drejtave të infermierëve, si dhe Divizionin për Infermieri, duke pretenduar se nuk e kanë mbështetur kolegen e akuzuar.
“Duke qenë se organizatat që mbrojnë të drejtat e infermierëve kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre, kështu duke e lënë infermieren e Klinikës së Neurokirurgjisë që e vetme të përballet me akuza të pabaza”, thuhet në letrën e Durakut.
Ai pretendon gjithashtu se Divizioni për Infermieri, “me apo pa qëllim”, nuk ka arritur ta mbrojë integritetin profesional të infermieres.
Duraku thekson se, duke u bazuar në rrethanat e çështjes dhe në vendimin e gjykatës kompetente, infermierja është shpallur e pafajshme.
Sipas tij, shqyrtimi i rastit ka treguar se denoncimi nuk është shoqëruar me prova konkrete dhe se nuk kanë ekzistuar fakte të mjaftueshme për të vërtetuar përgjegjësinë e saj.
Ai vlerëson se akuza të tilla mund të dëmtojnë reputacionin profesional, dinjitetin dhe marrëdhëniet e punës së një punëtori shëndetësor.
Për këtë arsye, Duraku i kërkon Komisionit Disiplinor të QKUK-së të verifikojë bazën faktike të denoncimit dhe të përcaktojë nëse drejtori Besnik Elshani ka pasur prova konkrete për pretendimin e paraqitur.
Po ashtu, ai kërkon të shqyrtohet nëse janë respektuar procedurat institucionale gjatë dorëzimit të denoncimit dhe nëse infermieres i është shkaktuar dëm profesional ose reputacional.
Duraku kërkon që, në rast se vërtetohet se denoncimi është bërë me vetëdije në mënyrë të rreme, pa fakte, pa prova ose në kundërshtim me rregullat dhe përgjegjësitë profesionale, ndaj drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë të zbatohen masat disiplinore të parapara.
“Qëllimi nuk është paragjykimi i përgjegjësisë së askujt, por garantimi i një procedure të drejtë, mbrojtja e punëtorëve nga akuzat e pabazuara dhe ruajtja e integritetit profesional brenda QKUK-së”, thuhet në letrën e tij.
Infermieri kërkon që Komisioni ta trajtojë çështjen në mënyrë objektive dhe transparente, në pajtim me procedurat dhe aktet institucionale në fuqi.
Letra i është drejtuar Komisionit Disiplinor të QKUK-së. Deri në publikimin e këtij shkrimi, drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, nuk ka dhënë qëndrim lidhur me pretendimet e ngritura në letrën e hapur.
