Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron alarmante përbërjen e kandidatëve të pranuar në konkursin e fundit për Shkollën e Mesme të Policisë. Sipas kësaj partie, nga 310 kandidatë të përzgjedhur, vetëm 11 i përkasin komuniteteve joshumicë, përfshirë shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe komunitetet e tjera, ndërsa shqiptarët përbëjnë më pak se 3 për qind. BDI vlerëson se kjo përbërje nuk pasqyron në mënyrë të drejtë strukturën e popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Partia thekson se rasti nuk duhet parë si një incident i veçuar, por si dëshmi e një politike që po i lë shqiptarët jashtë institucioneve shtetërore, veçanërisht atyre që merren me rendin dhe sigurinë.
BDI shprehet se përfaqësimi simbolik i një komuniteti të konsiderueshëm në polici nuk mund të shpjegohet thjesht si dështim i një konkursi. Sipas saj, kjo tregon mungesë të vullnetit dhe të mekanizmave për sigurimin e përfaqësimit të drejtë e adekuat. Në reagim thuhet se e njëjta situatë po prek edhe komunitetet e tjera joshumicë, duke krijuar një supremaci institucionale dhe një qasje moniste, ku një grup sillet si zot i shtetit, ndërsa të tjerët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe si qiraxhinj në vendin e tyre.
“Një qasje e tillë është e papranueshme në një shtet multietnik dhe përbën kthim prapa të arritjeve të ndërtuara ndër vite përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe reformimit të institucioneve”, deklarojnë nga BDI.
BDI kërkon anulimin e menjëhershëm të konkursit dhe zhvillimin e një procesi të ri, të bazuar në kritere që sigurojnë përfaqësim real dhe adekuat për të gjitha komunitetet.
Partia kërkon gjithashtu përgjegjësi të menjëhershme politike dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Sipas saj, prania formale e një zyrtari në këtë detyrë nuk mund të përdoret si justifikim për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet që duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, BDI kërkon krijimin e mekanizmave të qartë, të matshëm dhe detyrues për përfaqësim të drejtë e adekuat në strukturat e policisë, rendit dhe sigurisë, që nga rekrutimi e deri te pozitat drejtuese. Ajo paralajmëron se nuk duhet lejuar që puna e ndërtuar ndër vite të zhbëhet brenda dy vitesh dhe që shqiptarët të shndërrohen në dekor institucional, ndërsa vendimmarrja dhe strukturat e sigurisë përqendrohen gjithnjë e më shumë në një dorë.
“Kjo nuk lidhet vetëm me një konkurs apo me një individ. Bëhet fjalë për barazinë, karakterin multietnik të shtetit dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por përfaqësimin që u takon në përputhje me strukturën e popullsisë. Çdo alternativë tjetër përbën përjashtim sistematik dhe një kthim të rrezikshëm prapa”, thuhet në reagimin e BDI-së.
