Operacioni për arrestimin e Ergys Agasit u zhvillua pasditen e 26 gushtit, në një ditë të nxehtë vere, teksa dielli po perëndonte mbi bregdetin e Durrësit. Dhjetëra efektivë policie ndërhynë në autostradën pranë zonës së Plepave.
39-vjeçari ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit të kaluar, pasi dyshohej për një sërë akuzash të rënda që lidhen me funksionimin e një grupi kriminal të përfshirë në manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Të lidhura
None found
Fotot e publikuara nga Policia e Shtetit paraqesin një automjet të zi tip “Audi”, me të katërta dyert e hapura, të rrethuar nga makina civile të policisë, efektivë me uniforma dhe motorë.
Pas ndërhyrjes, Agasi u pa në njërën anë të rrugës me duart e prangosura pas shpine dhe kokën e ulur me forcë. Arrestimi u realizua përmes një operacioni të përbashkët të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, strukturave operacionale të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Agjentët e policisë e kishin ndjekur të mërkurën lëvizjen e tij nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Në automjet bashkë me të udhëtonte Uljan Shpataraku, ish-drejtuesi i Policisë së Elbasanit, i promovuar nga ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Shpataraku u shkarkua nga pasuesi i Prodës në maj të këtij viti, me argumentin e “mosparaqitjes së rregullt në punë”.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN përmes burimeve të njohura me operacionin e koduar “Wanted”, Shpataraku nuk ishte i vetmi person në radhët e Policisë që i kishte siguruar mbështetje Agasit gjatë muajve që ai qëndroi në arrati.
Disa burime të pavarura nga njëri-tjetri i thanë BIRN se policia kishte marrë në mënyrë të vazhdueshme informacione se 39-vjeçari fshihej kryesisht në një godinë në Shkozet të Durrësit, nën mbrojtjen e një organizate kriminale. Megjithatë, deri më herët nuk ishte ndërmarrë arrestimi i tij.
Autoritetet kishin të dhëna edhe për lëvizjet e Agasit nga baza në Shkozet drejt Elbasanit dhe Tiranës, ku ai zhvillonte takime me persona të ndryshëm të botës së krimit.
“Ka pasur informacione për vendndodhjen e tij edhe më parë, por tani erdhi momenti që u krye ndërhyrja,” deklaroi një prej burimeve, duke kërkuar të mbetej anonim.
Një burim i dytë i tha BIRN, po në kushtet e anonimatit, se puna zyrtare për përcaktimin e vendndodhjes së Agasit dhe arrestimin e tij nisi vetëm pas rotacionit në drejtimin e Policisë së Shtetit. Ky ndryshim i strukturës drejtuese përfundoi në fund të muajit korrik.
“Më parë ka qenë e pamundur të veprohej për ndalimin e Ergys Agasit, pavarësisht se ka pasur informacione dhe të dhëna të shumta për vendndodhjen e tij, që administroheshin nga institucionet e hetimit dhe ato të zbatimit të ligjit,” tha burimi.
Hetimet e SPAK e kanë përshkruar Agasin, edhe pse nuk mbante një post publik, si një person me ndikim mbi disa zyrtarë të lartë dhe me kompetenca të deleguara nga pushteti politik.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, e ka akuzuar publikisht Agasin se shërbente si “një koordinator” mes krimit të organizuar dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për më shumë se 10 vjet, AKSHI administroi një buxhet shumë të madh. Vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK, fondi limit u përllogarit në 5.9 miliardë lekë, ose rreth 59 milionë euro.
Sipas hetimit, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, ua kishin kaluar këto fonde një grupi të lidhur me krimin e organizuar.
Përmes paracaktimit të fituesve, dyshohet se dhjetëra milionë euro u devijuan drejt llogarive të biznesmenit të IT-së Ermal Beqiraj dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Agasi dhe Beqiraj dyshohen se, së bashku me Karçanajn dhe persona të tjerë, ndërtuan një skemë për përvetësimin e parave publike. Sipas akuzave, skema përfshinte dyfishimin e vlerës së tenderave, përcaktimin paraprak të fituesve dhe kalimin e miliona eurove në llogaritë e një kompanie fiktive. Për largimin e rivalëve, dyshohet se u angazhuan anëtarë të krimit të organizuar. Të hetuarit akuzohen gjithashtu për pastrim parash.
Përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, Agasi ka mohuar të gjitha akuzat. Pas seancës së të premtes për caktimin e masës së sigurisë, e cila e la klientin e tij në qeli, Haxhia u tha gazetarëve se Agasi “nuk ka qenë asnjëherë pjesë e procedurave të tenderave, nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi, si dhe se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupeve kriminale”.
Ermal Beqiraj, ortak i Agasit, u arrestua në Francë më 24 korrik. Ai po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, kur u shoqërua nga forcat ajrore franceze deri në uljen në aerodromin e Albertit, në rajonin e Somme-s, në veri të Francës.
SPAK bëri të ditur se hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze çuan në identifikimin e pasurive të Beqirajt në Francë, të dyshuara se rrjedhin nga veprimtari kriminale.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai kishte transferuar në Francë një pjesë të fitimeve të paligjshme, me të cilat dyshohet se bleu një kështjellë dhe dy apartamente, ndërsa depozitoi mbi 2 milionë euro në llogari bankare.
Rreth tre muaj më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi një pjesë të kërkesave të SPAK për sekuestrimin e pasurive me vlerë 40 milionë euro, në pronësi të personave dhe shoqërive të lidhura me të hetuarit për aferën e AKSHI-t.
