Amerikanët e pavaksinuar besojnë se vaksinat janë më të rrezikshme se Covid-19

Një numër shqetësues i amerikanëve të pavaksinuar besojnë se vaksinat kundër koronavirusit janë më të rrezikshme se vetë Covid-19, sipas një ankete të re.

Sipas anketës së realizuar nga “Kaiser Family Foundation”, të publikuar të mërkurën, të rriturit e pavaksinuar, sidomos ata që janë të vendosur për të mos e marrë vaksinën, janë shumë më pak të brengosur për koronavirusin dhe variantin delta të tij dhe kanë më pak besim në sigurinë e efikasitetin e vaksinave në krahasim me ata që janë vaksinuar.

Nëntë në dhjetë personat që thanë se nuk do të vaksinohen thanë se nuk janë shumë të shqetësuar ose nuk janë fare të shqetësuar se do të sëmuren nga koronavirusi. “Tri të katërtat e këtij grupi thonë se marrja e vaksinës për Covid-19 është rrezik më i madh për shëndetin e tyre sesa infektimi me koronavirus”, thuhet në anketë.

Anketa u realizua nga 15 deri më 27 korrik përmes telefonit me 1.517 të rritur. Në anketë thuhet se tre në dhjetë të rritur janë të pavaksinuar dhe se rreth 10 për qind e të anketuarve thonë se dëshirojnë të presin e të shohin se si do të ndikojë vaksina te personat e vaksinuar, shkruan Independent.SHBA

Sipas anketës, 14 për qind e pjesëmarrësve thanë se përfundimisht nuk do ta marrin vaksinën, shifër që ka qenë e qëndrueshme nga dhjetori. Një statistikë tjetër është që në mesin e të vaksinuarve ka më shumë gra se burra.


Shtuar 5.08.2021 20:33

Tags: ,