BDI deklaron se dokumentet zyrtare rrëzojnë pretendimet se autostrada Shkup-Bllacë është një nismë e pushtetit aktual. Sipas kësaj partie, gjatë periudhës kur ajo ishte në qeveri u hodhën hapa konkretë për projektimin, sigurimin e financimit dhe zhvillimin e procedurave të tenderimit.
Të lidhura
None found
Një prej dëshmive të përmendura është Ligji për garancinë shtetërore të detyrimeve për huanë, e cila do të shërbente për financimin e projektit TEN-T për autostradën që lidh Shkupin me kufirin e Kosovës. Ky ligj u miratua nga Kuvendi më 27 qershor 2022.
BDI thekson se dokumenti zyrtar është nënshkruar nga presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Për partinë, kjo tregon se në kohën e qeverisjes së saj ishin ngritur bazat kryesore të projektit, përfshirë projektimin, garantimin e financimit dhe procedurat e tenderimit. Sipas BDI-së, këto fakte kundërshtojnë çdo përpjekje për ta paraqitur autostradën Shkup-Bllacë si një projekt të nisur nga fillimi prej pushtetit aktual.
“Çfarë është bërë nga pushteti aktual përtej përgatitjeve dhe sigurimeve të kryera më herët?”, pyet BDI, duke kërkuar publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me projektimin, financimin, tenderimin dhe zbatimin e projektit. Partia sqaron se nuk është kundër ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, por kërkon që ajo të përfundojë sa më shpejt, në interes të qytetarëve dhe të lidhjes strategjike të Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
