LSDM-ja akuzon se, edhe pas gjashtë javësh, nuk është publikuar asnjë dokument, raport apo analizë lidhur me ujin në Gostivar. Sipas kësaj partie, deklaratat e bëra deri tani nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra dhe propagandë.
Të lidhura
None found
“Kush po shkakton panik? Mickoski dhe Klekovski janë ata që po përhapin panik, pasi prej 6 javësh nuk publikojnë dokumentin dhe japin deklarata që bien ndesh me njëra-tjetrën. Fillimisht folën për ndalime, më pas thanë se uji mund të përdorej si ujë teknik, pastaj deklaruan se në të kishte baktere dhe viruse të reja, për të siguruar më vonë se uji ishte i pijshëm. Në fund, njoftuan se raporti do të publikohej më 20 gusht, por dokumenti i plotë nuk u publikua asnjëherë”, shprehen nga LSDM-ja.
Partia vlerëson se kjo qasje e Mickoskit dhe Klekovskit po ushqen pasigurinë dhe po dëmton besimin e qytetarëve. LSDM-ja kërkon të dijë se çfarë po u fshihet banorëve, duke theksuar se kanë kaluar 22 ditë me ujë të ndotur dhe se rreth 5,000 persona janë sëmurë. “Përse qytetarët nuk kanë ende qasje në një dokument të plotë? Pse nuk publikohet raporti i plotë? Të dhënat për sigurinë e ujit duhet të bëhen publike përmes një raporti të plotë, ku të përfshihen të gjitha rezultatet dhe nënshkrimet e personave përgjegjës”, deklarojnë nga LSDM-ja.
