Crvena Zvezda është përballur me një sërë masash disiplinore nga UEFA pas ndeshjes së kthimit kundër Hapoel Be’er Shevas, e zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Të lidhura
None found
Pas humbjes 2-0 në Beograd dhe eliminimit nga gara, klubi serb është dënuar me një gjobë të përgjithshme prej 135,500 eurosh për shkeljet e regjistruara gjatë takimit.
Një nga ndëshkimet kryesore, në vlerën 50,000 euro, lidhet me shfaqjen e një mesazhi për Kosovën. UEFA e ka vlerësuar atë si të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv dhe si një përmbajtje që dëmton reputacionin e futbollit dhe të organizatës evropiane.
Për një rast të ngjashëm është folur edhe pas ndeshjes së fundit evropiane kundër Vitoria Plzen, kur tifozët e kësaj skuadre shfaqën një flamur me hartën e Kosovës.
Në listën e shkeljeve të Crvena Zvezdës përfshihen edhe problemet organizative. Për trazirat në tribuna, sigurinë e pamjaftueshme të fushës ndaj hyrjes së personave të paautorizuar dhe dyert e mbyllura të evakuimit emergjent, klubi është gjobitur me 35,000 euro.
Kalimet e bllokuara në tribuna kanë sjellë një tjetër gjobë prej 22,000 eurosh, ndërsa hedhja e sendeve në fushë është ndëshkuar me 23,250 euro. Përdorimi i mjeteve piroteknike i ka kushtuar klubit edhe 5,250 euro.
Edhe Hapoel Be’er Sheva është dënuar nga UEFA, me një shumë totale prej 16,250 eurosh. Nga kjo shumë, 8,250 euro lidhen me hedhjen e objekteve në fushë, ndërsa 8,000 euro me dëmtimin e infrastrukturës së stadiumit.
Përveç sanksioneve financiare, UEFA ka marrë masë edhe ndaj mesfushorit Mohamed Abu Fani. Futbollisti i Crvena Zvezdës është pezulluar për tri ndeshje për shkak të kartonit të kuq direkt të marrë në përballjen me Hapoel Be’er Shevan.
