Një familje e një miliarderi brazilian përjetoi orë frike në Saint-Tropez, pasi katër persona të armatosur depërtuan në vilën luksoze ku ata po pushonin. Autorët kërcënuan dhe lidhën personat që ndodheshin në rezidencë.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:30 të 16 korrikut. Biznesmeni brazilian, pasuria e të cilit llogaritet në afërsisht 1.4 miliardë dollarë, e kishte marrë vilën me qira për një periudhë dyjavore, ku ndodhej së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë.
Mediat franceze raportojnë se rezidenca mund të ketë qenë objektiv i zgjedhur që më herët. Katër grabitësit, të cilët kishin ardhur nga Marseja, iu afruan vilës me një makinë të vjedhur. Ata ishin të pajisur me pistoletë gjysmëautomatike, çekiç, lidhëse kabllosh, shirit ngjitës, sprej piperi dhe pajisje për bllokimin e sinjalit.
Para se të hynin në rezidencë, ata nënshtruan rojen e sigurisë duke e kërcënuar me armë. Roja u detyrua të fuste qenin në automjet, ndërsa më pas grabitësit e shoqëruan drejt vilës dhe e spërkatën me sprej piperi.
Pasi hynë brenda, autorët kontrolluan ambientet e vilës. Njëri prej tyre i vendosi armën në kokë partneres australiane të njërit prej djemve të familjes, duke i kërkuar para. Në të njëjtën kohë, dy grabitës të tjerë hynë në dhomën e miliarderit dhe të gruas së tij, të cilëve nën kërcënimin e armëve u kërkuan të tregonin vendin ku mbanin bizhuteritë dhe orët e kushtueshme.
Më pas, personat në vilë u grumbulluan në një dhomë dhe u lidhën nga grabitësit. Një prej banoreve arriti të largohej dhe të njoftonte policinë. Në rrëmujën e krijuar, një grua e re u shpëtoi autorëve, mori një telefon dhe u fsheh në kopshtin e rezidencës.
Pak përpara orës 05:00, ajo kontaktoi policinë. Efektivët mbërritën disa minuta më vonë dhe arrestuan tre të dyshuar, ndërsa ata po tentonin të largoheshin nga vila.
Autori i katërt u fsheh në çatinë e rezidencës, por u lokalizua dhe u arrestua më vonë. Ai është një 29-vjeçar, i dyshuar se plagosi një polic gjatë arrestimit.
Të katër të dyshuarit janë vendosur nën hetim formal për grabitje të armatosur dhe ndalim të paligjshëm, ndërsa janë lënë në paraburgim. Deklaratat e tyre kanë ngritur dyshimet e hetuesve se grabitja ishte organizuar paraprakisht dhe se vila nuk ishte përzgjedhur rastësisht.
