Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar me shqetësim të madh pas publikimit në media të pamjeve ku një 18-vjeçare shihet duke sulmuar fizikisht një vajzë 12-vjeçare.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, koalicioni ka nënvizuar se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të konsiderohet thjesht një ngjarje e veçuar.
“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj një fëmije, por edhe me një shfaqje të hapur të dhunës, e cila është filmuar”, ka deklaruar KOMF.
Sipas KOMF-it, shpërndarja dhe ekspozimi i videove të tilla mund të përkeqësojnë gjendjen e viktimës, duke e ekspozuar atë ndaj stigmatizimit dhe traumës.
Koalicioni u ka kërkuar institucioneve që të vënë në funksion pa vonesë mekanizmat lokalë për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë Qendrat për Punë Sociale dhe shërbimet psiko-sociale, me synim mbrojtjen dhe rehabilitimin e vajzës.
Gjithashtu, KOMF ka kërkuar nga institucionet e rendit dhe drejtësisë që të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një prej kërkesave të tjera të koalicionit është “fuqizimi i shërbimeve dhe programeve parandaluese ndaj dhunës”. Në këtë kuadër, KOMF ka theksuar nevojën për edukim në shkolla, mbështetje të shëndetit mendor për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe programe që nxisin respektin, tolerancën dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.
KOMF ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin për dobësitë e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në parandalimin, identifikimin në kohë dhe mbrojtjen nga dhuna.
Sipas koalicionit, përmasat e fenomenit kërkojnë përqendrim më të madh te parandalimi dhe edukimi. Kjo përfshin fuqizimin e prindërve për rritjen dhe disiplinimin e fëmijëve pa përdorur dhunë, edukimin në shkolla dhe ndërhyrjen e hershme ndaj sjelljeve të rrezikshme.
