Një total prej 773 familjesh në 21 komuna të Kosovës do të përfitojë nga Projekti i Banimit Social Adekuat, që përfshin ndërtimin, rindërtimin dhe rinovimin e banesave për familjet në nevojë.
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, bëri të ditur se vlera e projektit arrin në 37 milionë euro.
Të lidhura
None found
Pacolli e cilësoi këtë nismë si investimin më të madh publik të realizuar deri tani në fushën e banimit social në Kosovë.
Ajo njoftoi se projekti do të shtrihet në 21 komuna, ndërsa përfitues do të jenë 773 familje.
Projektin e Banimit Social Adekuat, Pacolli tha se e prezantoi së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin Andin Hoti.
Sipas saj, nga e hëna do të fillojë nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat përfituese, ndërsa zbatimi i projektit do të nisë menjëherë.
Ministrja në detyrë theksoi se përmes kësaj nisme shteti do të mbështesë qytetarët që kanë më së shumti nevojë, duke e përkufizuar projektin si investim në dinjitet, siguri dhe mirëqenie.
Pacolli tha se synimi është krijimi i politikave sociale që e vendosin qytetarin në qendër dhe garantojnë që askush të mos mbetet pas.
