Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur për planin e klubit në transferime pas largimit të Ferran Torres dhe Robert Lewandowskit.
Të lidhura
None found
Sipas tij, gjetja e një zëvendësuesi për sulmuesin polak do të jetë një sfidë e veçantë, për shkak të peshës që Lewandowski ka pasur në vitet e fundit te Barcelona.
“Kemi humbur dy lojtarë, Ferranin dhe Robert Lewandowskin. Për Ferranin mund të gjejmë zëvendësim përmes lojtarëve të rinj, ndërsa situata me Robertin është shumë më e komplikuar. Edhe një lojtar i mirë nuk do ta ketë të lehtë ta zëvendësojë, pasi ai ka qenë përcaktues për epokën tonë”, deklaroi Deco.
Ai bëri të ditur se Barcelona ka alternativa brenda skuadrës, por paralelisht po vlerëson edhe mundësi të tjera përpara përfundimit të sezonit, me synimin për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme.
“Kemi mundësi të brendshme, megjithatë do të ndërmarrim disa hapa. Gjithçka lidhet me gjetjen e opsionit më të mirë dhe po punojmë për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë para fundit të sezonit”, u shpreh drejtori sportiv.
Deco nënvizoi se Barcelona vazhdon të jetë një klub joshës për futbollistët elitarë, por për të realizuar transferime të rëndësishme nevojitet një projekt sportiv bindës.
“Të gjithë lojtarët duan të vijnë këtu, por për të afruar emra të nivelit të lartë duhet të kesh një projekt. Ky ishte një element që i bindi futbollistët që erdhën. Të gjithë synojnë të fitojnë trofe dhe të lënë gjurmë në histori”, përfundoi Deco.
