António José Seguro, presidenti i Portugalisë, nënshkroi të martën aktin e njohur si “ligji i burkës”, që ndalon mbulimin e fytyrës në vende publike.
Të lidhura
None found
Parlamenti portugez e kishte miratuar ligjin më 17 korrik. Për të votuan partitë qeverisëse PSD dhe CDS, së bashku me Nismën Liberale dhe partinë e ekstremit të djathtë Chega, e cila kishte përgatitur projektin fillestar.
Drafti iu nënshtrua më pas ndryshimeve për të shmangur çështje të mundshme kushtetuese, sidomos ato që kanë të bëjnë me lirinë fetare.
Në formulimin përfundimtar, masa mbështetet kryesisht në argumente që lidhen me ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik, pa iu referuar drejtpërdrejt fesë.
“Pas ndryshimeve legjislative të paraqitura, Presidenti i Republikës ka vendosur ta shpallë atë”, bëri të ditur Presidenca portugeze përmes një deklarate.
Për vendimin e tij, presidenti Seguro është bazuar gjithashtu në disa vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Sipas Presidencës, ai pajtohet me qëndrimin se fytyra ka rol thelbësor në identitetin dhe komunikimin njerëzor, pasi përfaqëson elementin minimal që mundëson njohjen e ndërsjellë ndërmjet qytetarëve.
Deklarata nënvizon gjithashtu se një realitet ku vetëm gratë do të detyroheshin ta mbulonin tërësisht fytyrën do të sillte një pabarazi të papajtueshme me parimin e barazisë dhe të dinjitetit të njëjtë të burrave dhe grave.
Sipas Presidencës së Portugalisë, këto parime janë ndër themelet kryesore mbi të cilat mbështeten demokracitë evropiane.
