Projektet infrastrukturore që forcojnë lidhjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ishin në qendër të takimit mes zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha.
Të lidhura
None found
Zekolli e përshkroi takimin si të përzemërt dhe konstruktiv, duke bërë të ditur se gjatë tij u shqyrtuan si projektet që tashmë janë duke u zbatuar, ashtu edhe nismat që pritet të realizohen në të ardhmen.
Mes çështjeve kryesore të diskutuara ishin autostrada Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren. Të dyja këto projekte vlerësohen si të rëndësishme për lehtësimin e qarkullimit, përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Sipas njoftimit të Zekollit, më 26 gusht do të vendoset gurthemeli i fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë. Ajo e cilësoi këtë ceremoni si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lidhjeje strategjike me Kosovën.
“Bashkëpunimi ynë me Kosovën vazhdon të përkthehet në projekte konkrete, duke krijuar lidhje më të shpejta, më të sigurta dhe më të fuqishme mes dy vendeve”, deklaroi Zekolli në postimin e publikuar në rrjetet sociale.
