Të moshuarit në Cërrik shprehen se të ardhurat nga pensioni janë të pamjaftueshme për të paguar medikamentet, ushqimet dhe faturat e banesës.
Për shkak se shpenzimet mujore janë më të larta se të ardhurat, disa pensionistë thonë se ka raste kur nuk i blejnë dot as ilaçet.
Të lidhura
None found
Për shumë të moshuar në Peqin, pensioni përfundon pa u mbyllur ende muaji. Pothuajse të gjitha paratë përdoren për medikamente, ushqime dhe detyrimet e shtëpisë, duke mos lënë thuajse asgjë për nevoja të tjera. Një pensioniste, e cila merr 93 mijë lekë, tregon se rreth 50 mijë lekë në muaj i shpenzon vetëm për ilaçe. Ajo pohon se, kur kostot rriten, detyrohet të mos i marrë të gjitha medikamentet.
“Pensioni është 93 mijë lekë, ndërsa 50 mijë lekë më duhen për ilaçet. Nuk mund të përballoj asnjë shpenzim tjetër. Pa ndihmën e fëmijëve do të kishim vdekur, do të kishim mbaruar. Jeta është shumë e vështirë. Çmimet këtu janë shumë të larta, madje më të shtrenjta se në Tiranë. Ndonjëherë nuk i marrim ilaçet, sepse nuk kemi mundësi t’i paguajmë dhe kemi frikë”, është shprehur zonja.
Edhe pensionistë të tjerë përshkruajnë të njëjtën situatë. Ata vlerësojnë se niveli i çmimeve nuk përputhet me masën e pensioneve dhe se të ardhurat e muajit mbulojnë vetëm nevojat më jetike.
Një pensionist tha se gjithçka kushton shtrenjtë dhe se, kudo që të shkosh, përballesh me çmime të larta. I pyetur nëse ato janë në përpjesëtim me pensionin, ai u përgjigj: “Absolutisht jo”. Sipas tij, arsyet lidhen me politikën që ndjek shteti.
Kur gazetarja e pyeti se si arrin një pensionist t’i përballojë të gjitha detyrimet, ai u përgjigj se vështirësitë janë të shumta dhe situata nuk përballohet. Sipas tij, pensioni shkon menjëherë për ilaçet, qiranë, energjinë elektrike, ujin dhe faturat, të cilat nuk mbulohen dot. Ai merr 174 mijë lekë, por thekson se kjo shumë nuk mjafton. “Me 174 mijë lekë duhet të blesh ilaçet, këtë e atë dhe të kalosh një muaj të tërë. Nuk bëhet. Më kryesoret mbeten ilaçet dhe ushqimet”, tha pensionisti.
Pjesa dërrmuese e pensionit shpenzohet për medikamente, ushqime, energji elektrike dhe ujë. Në disa familje, ndihma e fëmijëve mbetet e vetmja mundësi për ta përballuar muajin.
Një tjetër pensionist e cilësoi jetesën shumë të vështirë, por tha se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe se bashkëshortja merr një pension disi më të mirë, pasi ka punuar si mësuese dhe drejtoreshë. Ai vetë ka qenë rrobaqepës dhe merr 157 mijë lekë. Sipas tij, këto të ardhura nuk mjaftojnë, sidomos për shpenzimet spitalore të tij dhe të gruas. Ai u shpreh se, ndonëse në televizor thuhet ndryshe, në spitale nuk të prekin me dorë pa para. Pensionisti shtoi se operacionet kushtojnë 2 milionë e gjysmë deri në 3 milionë lekë, shuma që nuk mund të përballohen.
Pensionistët e intervistuar nga Euronews Albania thonë se rritjen e kostos së jetesës e ndiejnë përmes vendimeve të vështira që duhet të marrin çdo muaj: nëse do të blejnë ilaçet, do të shlyejnë faturat apo do të kursejnë edhe te ushqimet bazë. Sipas tyre, ndërsa masa e pensionit nuk ndryshon, shpenzimet vazhdojnë të rriten.
