Një shtetas nga Irani ka paraqitur kërkesë për azil në Kosovë, pas ndalimit të tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Të lidhura
None found
Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë kontrollit, më 18 gusht, ai kishte përdorur një pasaportë të lëshuar nga Belgjika.
Gjatë marrjes në pyetje, shtetasi iranian pranoi se dokumenti i përkiste një personi tjetër. Ai deklaroi gjithashtu se ishte nga Irani dhe se nuk kishte me vete dokumente personale.
Para autoriteteve, ai tha se në Iran ndihej i rrezikuar.
Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për azil ishte dorëzuar nga shtetasi iranian.
“Ka parashtruar kërkesë për azil edhe shqyrtohet kërkesa prej Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Zariqi.
Ai sqaroi se procedura e shqyrtimit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, ndërsa afati mund të zgjatet edhe me tre muaj.
“Po zakonisht nuk zgjat më shumë se mesatarisht dy muaj e gjysmë, apo tre”, tha Zariqi.
Ende nuk është bërë e ditur se nga cili shtet kishte udhëtuar iraniani për në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë pret përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me mënyrën e udhëtimit të tij, gjendjen e rastit dhe nëse ndaj tij është ngritur ose jo ndonjë procedurë penale. / REL
