Karabinierët e kompanisë së Vastos kanë arrestuar shtatë persona në Itali, të dyshuar si anëtarë të një grupi që grabiste bankomate dhe sportele bankare duke përdorur lëndë eksplozive. Masat e sigurisë ndaj tyre u ekzekutuan pas vendimit të gjykatës.
Të lidhura
None found
Operacioni hetimor, i pagëzuar “DEVICE”, nisi në korrik të vitit 2025, pas sulmit ndaj një sporteli bankar në Gissi. Gjatë hetimeve, autoritetet kanë dokumentuar edhe 12 grabitje të tjera, të zhvilluara nga janari deri në shtator 2025 në provincat Chieti, Avellino, Campobasso dhe Potenza.
Sipas të dhënave të autoriteteve italiane, dëmi i shkaktuar nga aktiviteti i bandës arrin në rreth 220 mijë euro. Grupi dyshohet se i zgjidhte paraprakisht objektivat dhe përgatiste me kujdes çdo aksion, ndërsa për transport përdorte automjete të vjedhura ose të marra me qira dhe telefona të regjistruar në emra të personave të tjerë.
Të arrestuarit përballen, sipas rolit të secilit, me akuza për vjedhje të rëndë dhe të vazhdueshme në bashkëpunim, si edhe për prodhimin, mbajtjen dhe posedimin e armëve ose eksplozivëve. Deri në këtë fazë, hetuesit nuk kanë gjetur prova për lidhje të grupit me struktura të krimit të organizuar.
