Rama krahasoi protestat në Shqipëri me ato në BE, Koçeku: Një qeveri demokratike i jep llogari rinisë, nuk mbulon dhunën me statistika

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar ndaj tabelës së publikuar nga kryeministri Edi Rama, përmes së cilës ai krahasoi numrin e protestuesve dhe efektivëve të policisë të lënduar gjatë protestave në Shqipëri me ato në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas Koçekut, krahasimi i paraqitur nga kreu i qeverisë nuk shoqërohet me të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar rrethanat e ngjarjeve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo tha se shifrat e përdorura nga Rama u referohen protestave të zhvilluara në Evropë gjatë viteve 2010–2019, pa specifikuar ngjarjet konkrete apo kontekstin e tyre.

Të lidhura

None found

Në reagimin e saj, Koçeku akuzoi kryeministrin se po përdor shifra jashtë kontekstit për të mbështetur argumentin e tij lidhur me protestat e studentëve në Shqipëri. Ajo theksoi se të dhënat statistikore nuk mund të shërbejnë si argument pa informacion mbi periudhën, rrethanat dhe natyrën e protestave.

Reagimi i Marjana Koçekut:

Kryeministri, në samitin e sotëm në Mal të Zi, nuk dha fakte kur foli për protestën e studentëve. Por u dha municion militantëve të tij. Shikojeni tabelën e tij. I krahason protestat e sotme me ngjarje të viteve 2010–2019 në Europë, pa kontekst, pa periudha të sakta, pa thanë çka ka ndodhë realisht. Tu sjellë shifra të së kaluemes sikur të ishin të ngjarjeve të fundit.

Nji numër pa kontekst nuk ka si me qenë argument, por spekulim. Studentët nuk kërkojnë shumë. Thjesht kërkojnë nji qeveri që nuk i gënjen. Nji qeveri që nuk i rrah. Nji qeveri që paratë e dijes nuk i çon për me shpërblye ata që i rrahin. Nji qeveri demokratike i jep llogari rinisë. Nuk e mbulon dhunën me statistika.


Shtuar më 22.10.2026 16:31

Tags: ,