Jamal Musiala ka ngritur shqetësim të madh pasi humbi ndjenjat për herë të dytë në fushë brenda një harku kohor prej vetëm katër ditësh. Një neurolog i njohur gjerman ka dhënë një vlerësim mbi problemin e mundshëm që po përjeton talenti i Bayern Munichut.
Të lidhura
None found
Incidenti i fundit ndodhi gjatë fitores së Bayern Munichut në miqësoren kundër Heidenheimit. Musiala, 23-vjeç, u shfaq i çorientuar dhe mori ndihmë mjekësore përpara se të largohej nga fusha i mbështetur nga stafi. Kjo ishte hera e dytë që ai përjetonte një episod të tillë, pas ngjarjes së ngjashme në sfidën ndaj Leipzigut.
Max Eberl, drejtori sportiv i klubit, deklaroi se Bayern Munichu është i informuar plotësisht për situatën dhe po qëndron pranë futbollistit.
Ndërkohë, vetë Musiala bëri të ditur më vonë se ishte diagnostikuar me kriza të përkohshme dhe afatshkurtra të mungesës, të lidhura me një çrregullim neurologjik.
Për të analizuar më nga afër këto episode, mediumi gjerman BILD iu drejtua profesor Christoph Kleinschnitz, i cili drejton departamentin e neurologjisë në Spitalin Universitar të Essenit.
“Nga pikëpamja neurologjike, kjo mund të jetë potencialisht një krizë epileptike. Mund të bëhet fjalë për një lloj epilepsie të mungesës, pasi periudhat e shkurtra të mosreagimit përputhen me simptoma të tilla”, tha neurologu i njohur.
“Megjithatë, për të arritur në një vlerësim të tillë, do të duhej të njihnim të gjitha rezultatet e ekzaminimeve neurologjike”.
“Kjo është një gjendje e trajtueshme, por do të kërkonte një terapi afatgjatë. Musiala mund të vijojë të luajë futboll”.
Hapi kryesor për momentin është menaxhimi i çrregullimit të sapodiagnostikuar neurologjik, ndërsa paralelisht lojtari duhet të rikuperohet edhe nga dëmtimet e rënda ortopedike që ka pësuar.
Megjithatë, ekspertët mbeten optimistë dhe vlerësojnë se, nëse merr trajtimin e duhur afatgjatë, kjo gjendje nuk pritet t’i ndërpresë karrierën profesionale.
