Ylli Zalla, do të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Tiranës, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Mbrojtja kundërshtoi vlerësimin se ai ka rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe kërkoi një masë më të butë.
Të lidhura
None found
Avokati Dritan Gila, deklaroi se as Zalla si person dhe as veprat penale për të cilat akuzohet nuk paraqesin rrezikshmëri të veçantë.
Sipas tij, nuk rezulton që i arrestuari të jetë përfshirë në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se nuk ka të dhëna që materialet e sekuestruara të jenë përdorur në ngjarje të tjera. Po ashtu, sipas avokatit, nuk ekzistojnë prova se Zalla ka kryer veprime për shitjen e lëndëve narkotike.
Armët dhe municionet, siç shpjegoi Gila, u zbuluan mes ferrave, prapa banesës dhe pas pjesës së oborrit. Ato ndodheshin pa rregulla apo masa të posaçme ruajtjeje dhe nuk ishin mbajtur të paprekura ose të ambalazhuara.
Në lidhje me materialet shpërthyese, avokati tha se disa kapsolla detonatore nuk ishin funksionale dhe nuk mund të shkaktonin shpërthim. Ai shtoi se disa bomba dhe mjete të tjera shpërthyese nuk kishin lidhjen e nevojshme për të shpërthyer.
Sipas mbrojtjes, armët e sekuestruara janë prodhime të vjetra kineze, që u përkasin viteve ’80. Avokati i përshkroi ato si rreth 50-vjeçare dhe të prodhuara në vitin 1982.
Edhe kanabisi i gjetur, sipas Gilës, kishte qëndruar i ekspozuar ndaj agjentëve dhe faktorëve atmosferikë. Në vlerësimin e tij, kjo rrethanë dëshmon se Zalla nuk kishte treguar ndonjë kujdes të veçantë për ruajtjen e sasisë së sekuestruar.
Një pjesë e rëndësishme e argumenteve të mbrojtjes lidhej me mënyrën se si përfundoi operacioni policor. Gila theksoi se, megjithëse në kërkimin e Zallës u angazhuan shumë efektivë dhe u përdorën dronë, policia nuk arriti ta kapte atë.
Sipas avokatit, operacioni përfundoi me sukses vetëm sepse Ylli Zalla vendosi të dorëzohej vullnetarisht dhe të sqaronte pozicionin e tij. Ai tha se videot publike të regjistruara përpara shtëpisë e dëshmojnë këtë moment.
Mbrojtja sqaroi se Zalla i thirri me zë një person pranë banesës, i cili iu duk se ishte pjesëtar i forcave RENEA. Më pas ai u prezantua para efektivit dhe u dorëzua vetë.
Duke u mbështetur te gjendja e armëve, funksionaliteti i pjesshëm i municioneve dhe mjeteve shpërthyese, mënyra e ruajtjes së kanabisit, mungesa e përfshirjes në ngjarje të tjera dhe dorëzimi vullnetar, avokati kërkoi një masë sigurie më të lehtë. Gjykata e Tiranës nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi masën “arrest në burg” të kërkuar nga prokuroria.
