Sot ka filluar rigjykimi për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan. Në lidhje me rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe pretendimet për mënyrën e administrimit të provave, ka reaguar Prokuroria e Shtetit.
Të lidhura
None found
Prokurorja Sahide Gashi tha se institucioni i akuzës e respekton vendimin e gjykatës dhe mirëpret shqyrtimin e çdo prove që kjo e fundit e konsideron të rëndësishme për nxjerrjen në dritë të së vërtetës.
Megjithatë, Gashi vlerësoi se duhet sqaruar pozicioni i Prokurorisë ndaj pretendimeve sipas të cilave ajo ka fshehur prova ose nuk i ka propozuar ato.
“Qëndrimi im është kategorik dhe plotësisht i qartë: Prokuroria nuk fsheh prova, e aq më pak ato që i ka siguruar vetë”, deklaroi Gashi.
Ajo bëri të ditur se raporti balistik për gëzhojat e gjetura në bjeshkë ka qenë i përfshirë në shkresat e lëndës që prej ditës së parë dhe ka qenë i qasshëm për të gjitha palët.
Sipas prokurores, Prokuroria paraqet provat që e mbështesin dyshimin e bazuar dhe jo domosdoshmërisht çdo dokument që ndodhet në dosjen e çështjes.
Gashi shpjegoi se gëzhojat e gjetura në bjeshkë nuk janë propozuar si prova, pasi nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën e veprës penale.
Prokurorja pohoi gjithashtu se vendi ku i pandehuri Kreshnik Mehmetaj është parë duke qëlluar me armë njihet si zonë e frekuentuar nga banorët e Deçanit për gjuajtje me armë zjarri.
“Bëhet fjalë për një poligon të hapur publik, në të cilin banorët kanë qëlluar prej vitesh. Për këtë arsye, është krejtësisht e natyrshme të gjenden gëzhoja të rastësishme që nuk përputhen me skenën e krimit”, deklaroi Gashi.
