Për herë të parë, Mbretëresha Camilla ka rrëfyer sa e vështirë ishte për të që ta mbante të fshehtë diagnozën me kancer të bashkëshortit të saj, Mbretit Charles, përpara njoftimit zyrtar.
Të lidhura
None found
Rrëfimi i saj është pjesë e një filmi të publikuar me rastin e 30-vjetorit të Maggie’s, organizatë që mbështet pacientët me kancer. Camilla kujtoi vizitën e zhvilluar më 31 janar 2024 në një nga qendrat e saj, kur iu desh të përmbahej që të mos zbulonte se Charles ishte diagnostikuar tashmë me kancer.
“Po digjesha nga dëshira për ta nxjerrë nga vetja, por sigurisht që nuk mundesha”, tha Camilla gjatë bisedës me drejtuesen e Maggie’s, Dame Laura Lee.
Në atë periudhë, Charles po merrte veten pas trajtimit për zmadhimin e prostatës, ndërsa ndërkohë ishte zbuluar se vuante nga një formë e papërcaktuar kanceri. Buckingham Palace e njoftoi publikisht diagnozën pesë ditë pas vizitës së Camillas, më 5 shkurt 2024.
Sipas mbretëreshës, qëndrimi në qendrën e kancerit ishte veçanërisht prekës. Përballë saj kishte pacientë dhe familjarë që po kalonin të njëjtën përvojë me të cilën po përballej në atë kohë edhe familja mbretërore.
“Pothuajse thashë diçka, por e kuptova se nuk ishte momenti”, u shpreh ajo.
Camilla tregoi se kjo përvojë e ndihmoi ta kuptonte edhe më thellë rolin e rëndësishëm që kanë qendra të tilla si për personat me kancer, ashtu edhe për familjet e tyre.
Duke përshkruar reagimin e Charles ndaj sëmundjes, ajo tha se ai nuk e lejoi diagnozën ta pengonte në përmbushjen e detyrimeve publike.
“Asgjë nuk e ndaloi. Ai thjesht tha: ‘Kjo është mënyra ime. Kështu do ta përballoj’”, rrëfeu mbretëresha.
Mbreti Charles iu rikthye angazhimeve publike në prill 2024, më pak se tre muaj pas nisjes së trajtimit.
Camilla shfrytëzoi gjithashtu këtë rast për të nënvizuar domosdoshmërinë e përkrahjes psikologjike dhe emocionale për pacientët me kancer dhe të afërmit e tyre. Ajo bëri thirrje që çdo spital të pajiset me një qendër të këtij lloji.
