Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka pranuar për shqyrtim apelin e Shqipërisë kundër vendimit që lidhet me ekstradimin e personave të dyshuar për përfshirje në organizimin dhe kryerjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Lezhë gjatë vitit 2023.
Mes personave për të cilët kërkohet ekstradimi ndodhet Edmond Haxhia, i dyshuar si organizatori dhe porositësi i atentatit. Në listë janë edhe katër shtetas britanikë: Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, të cilët dyshohet se kanë kryer vëzhgimin e objektivit përpara ekzekutimit.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën dosje përfshihet edhe shtetasi portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si personi që ekzekutoi Nikulajn. Për këtë ngjarje, ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës.
Pas përcaktimit të identitetit të të dyshuarve, autoritetet shqiptare i kërkuan Britanisë së Madhe dorëzimin e tyre për ndjekje penale për veprat “vrasje për shkak të gjakmarrjes” dhe “prodhim dhe posedim i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe municionit”.
Kërkesat shqiptare morën certifikimin e Sekretarit të Brendshëm britanik. Megjithatë, gjatë procesit u shfaq një problem procedural për akuzën mbi të cilën mbështetej ekstradimi. Në përfundim të seancës, kërkesa u trajtua si e ngritur për “vrasje me paramendim”, në vend të akuzës për “vrasje për shkak të gjakmarrjes”.
Gjykata e Rrethit vendosi që çështja t’i kalonte Sekretarit të Brendshëm, i cili do të merrte vendimin përfundimtar lidhur me ekstradimin. Më pas, ai urdhëroi dërgimin e të dyshuarve në Shqipëri.
Personat e dyshuar e kundërshtuan këtë vendim në apel, duke pretenduar se procedura ishte zhvilluar mbi baza të pasakta, për shkak të ndryshimit mes kërkesave fillestare të Shqipërisë dhe urdhrave të nxjerrë më vonë për ekstradimin. Gjykata e Lartë britanike i pranoi argumentet e tyre dhe anuloi urdhrat e ekstradimit.
Pas këtij vendimi, shteti shqiptar dhe Ministri i Brendshëm britanik iu drejtuan me apel Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.
Pas vlerësimit paraprak, Gjykata Supreme ka vendosur ta pranojë apelin dhe ta regjistrojë çështjen për shqyrtim. Vendimi i ardhshëm do të përcaktojë nëse procedurat e zhvilluara deri tani janë të mjaftueshme për vijimin e ekstradimit të të dyshuarve drejt Shqipërisë.
