Disa banorë nga Vushtrria morën sot pagëzimin në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, një ditë pas ceremonisë së bekimit të gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.
Të lidhura
None found
Bekimi i gurthemelit ishte planifikuar për 18 gusht, por Dioqeza Prizren-Prishtinë bëri të ditur se ceremonia ishte ndaluar me vendim të Policisë së Kosovës.
Dioqeza e Prizren-Prishtinës e kishte vlerësuar këtë vendim si “jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar”.
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, së bashku me disa meshtarë dhe besimtarë, e bekoi gurthemelin një ditë më herët, më 17 gusht.
Gjatë ceremonisë së pagëzimit, Ipeshkvi i Kosovës tha se Kisha nuk dëshiron të ndalet te komentet për ngjarjet e fundit. Sipas tij, përgjigjja ndaj situatave të tilla duhet të jetë e mbështetur te paqja, dashuria dhe urtia.
Gjergji u shpreh se Kisha nuk synon përplasjen me vëllezërit e saj dhe se, pavarësisht kundërshtimit ndaj vendimeve që e pengojnë, ajo do të vijojë të sillet si “bijë e paqes” dhe “bijë e dashurisë”. Ai tha se e ardhmja ndërtohet me durim, urti dhe dashuri, pa hequr dorë nga identiteti dhe rruga e zgjedhur.
Ipeshkvi theksoi gjithashtu se çdo person në Kosovë duhet të ketë mundësinë të zgjedhë lirisht fenë e tij, pa u kundërshtuar nga të tjerët. Sipas tij, liria dëshmohet kur njeriu e bën zgjedhjen e vet dhe kjo zgjedhje pranohet e përqafohet.
Duke folur për bashkëjetesën ndërfetare, Gjergji tha se urrejtja nuk duhet t’i përgjigjet urrejtjes. Ai nënvizoi se të krishterët nuk duhet të ndjekin shembullin e atyre që nxisin përçarje, pasi, siç u shpreh, “ne jemi ndryshe”.
Ai kujtoi se shqiptarët e besimeve të ndryshme kanë jetuar së bashku ndër shekuj. Gjergji tha se muslimanët dhe katolikët kanë ruajtur marrëdhëniet mes tyre edhe gjatë rrethanave historike, duke i dhënë njëri-tjetrit mundësinë të jetojë dhe të besojë sipas zgjedhjes së vet.
Ceremonia e pagëzimit u zhvillua në ditën kushtuar Shën Florit dhe Shën Laurit, të cilët, sipas traditës së krishterë, konsiderohen martirë të hershëm të krishterimit në Ulpianë.
