Disa shtete evropiane vijojnë të përballen me zjarre. Në Belgjikë, reshjet e shiut kanë favorizuar ndërhyrjen ndaj vatrave, kurse në Greqi janë vënë nën kontroll flakët që u morën jetën dy personave.
Të lidhura
None found
Zjarri më i madh i dokumentuar në historinë moderne të Belgjikës ka djegur afërsisht 3 mijë hektarë në parkun High Fens, pranë kufirit gjerman. Në operacion janë përfshirë rreth 500 zjarrfikës dhe ushtarë, ndërsa Gjermania ka ofruar mbështetje me dy helikopterë ushtarakë. Autoritetet gjermane kanë larguar gjithashtu banorët nga dy rrugë në zonën kufitare.
Në ishullin grek të Salaminës, pranë Athinës, dy vatrat e zjarrit janë shuar në masën më të madhe. Flakët, të nxitura nga erërat e forta, u përhapën brenda vetëm shtatë minutash. Dy persona humbën jetën, ndërsa rreth 600 të tjerë u evakuuan nëpërmjet mjeteve lundruese.
Në Francë, kryeministri Sébastien Lecornu u përball me protesta gjatë vizitës në fshatin Le Porge, ku muajin e kaluar një zjarr shkatërroi 183 banesa. Ndërkaq, 250 persona të evakuuar në rajonin Landes kanë marrë leje të rikthehen në shtëpitë e tyre.
Në Aragon të Spanjës, një ushtar humbi jetën teksa merrte pjesë në operacionin për shuarjen e një zjarri të madh. Qindra banorë janë evakuuar dhe flakët kanë rrezikuar edhe një manastir një mijëvjeçar.
Portugalia po përballet me disa vatra zjarri pranë kufirit me Spanjën. Pesë zjarrfikës pësuan plagë të lehta pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përfshi nga flakët.
