Emiliano Martinez është rikthyer në planet e Juventusit, i cili tashmë ka paraqitur një ofertë zyrtare për portierin e Aston Villas.
Sipas raportimit të “The Athletic”, klubi italian ka ofruar 7 milionë euro si pagesë fikse, ndërsa vlera totale e marrëveshjes mund të shkojë në 10 milionë euro, nëse aktivizohen edhe 3 milionë euro bonuse të lidhura me paraqitjet e tij.
Të lidhura
None found
Aston Villa nuk e ka pranuar ende propozimin, por e ardhmja e portierit mbetet e pasigurt. Klubi anglez mund të marrë në konsideratë shitjen e 33-vjeçarit, veçanërisht për shkak të afrimit të pritshëm të Zion Suzukit nga Parma.
Që prej transferimit në Aston Villa në vitin 2020, Martinez është shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës. Ai ka pasur rol vendimtar edhe me përfaqësuesen e Argjentinës, duke kontribuar në triumfin në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe në fitimin e dy titujve të Copa America.
Juventusi synon të shtojë alternativat në portë dhe me këtë ofertë ka hedhur hapin e parë konkret për të siguruar shërbimet e portierit të përvojës.
