Rreth dy mijë banorë u detyruan të largoheshin nga zona Hürtgenwald, në rajonin Eifel të Gjermanisë Perëndimore, pasi zjarri iu afrua fshatit Gey. Përhapja e flakëve u favorizua nga erërat që ndryshonin vazhdimisht drejtim.
Të lidhura
None found
Gjatë evakuimit, banorët u udhëzuan të merrnin me vete vetëm gjërat më të domosdoshme, veçanërisht dokumentet dhe ilaçet.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u përfshinë edhe helikopterët e policisë, të cilët transportuan ujë drejt zonës pyjore. Në ndihmë të zjarrfikësve u vunë gjithashtu pajisje të ushtrisë.
Ministrja e Bujqësisë e landit Nordrhein-Westfalen (NRW), Silke Gorißen, vlerësoi se ky mund të jetë zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në historinë e këtij landi.
Gjatë një vizite te forcat e angazhuara në operacionin e shuarjes, Gorißen deklaroi: “Kemi të bëjmë me një përmasë, me të cilën nuk jemi përballur prej dekadash”.
Sipas saj, llogaritet se flakët kanë prekur të paktën 200 hektarë, ndërsa sipërfaqja e përfshirë mund të arrijë deri në 300 hektarë.
Për krahasim, statistikat e Ministrisë Federale të Bujqësisë për zjarret në pyje tregojnë se gjatë gjithë vitit 2025 në landin Nordrhein-Westfalen u dogjën rreth 52 hektarë pyje.
Ministri i Mjedisit i NRW-së, Oliver Krischer, i cilësoi përmasat e zjarrit si “tronditëse”. Politikani i Partisë së Gjelbër u shpreh: “Kjo tregon se pasojat e ndryshimeve klimatike po na godasin me të gjithë forcën e tyre”.
Hürtgenwald ndodhet pranë kufijve me Belgjikën dhe Holandën. Sipas njoftimeve zyrtare, zjarri përfshiu rreth 300 hektarë./ DW
