Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është bërë prezantimi i drejtuesit të ri të arbitrave. Fernandinho Gonzalo Vasquez merr detyrën e mbajtur më parë nga Sokol Jarenci, largimi i të cilit u njoftua një ditë më parë.
Të lidhura
None found
Gjatë prezantimit u nënvizua se arbitrimi përbën një element thelbësor të futbollit dhe se një kampionat cilësor, përveç lojtarëve dhe trajnerëve të mirë, ka nevojë edhe për arbitra të aftë dhe të pavarur. Gonzalez Vasquez vjen me një përvojë të gjatë, pasi ka gjykuar në La Liga, ka qenë arbitër ndërkombëtar i FIFA-s dhe ka drejtuar ndeshje të niveleve të larta, përfshirë kompeticionet europiane.
U theksua gjithashtu se kjo eksperiencë e bën profilin e tij veçanërisht të vlefshëm për futbollin shqiptar. Ai ka ushtruar funksione të rëndësishme në sektorin e arbitrimit në Spanjë, ndërsa përvoja që zotëron përputhet me atë që kërkohet për arbitrimin në Shqipëri.
Gonzalez Vasquez ka shërbyer si zv. president i komitetit teknik të Federatës Spanjolle, si dhe si observues në La Liga dhe në ndeshjet europiane. Në urimin e mirëseardhjes u shpreh bindja se eksperienca e tij, e ndërthurur me profesionalizmin e arbitrave shqiptarë, do të mundësojë një hap të rëndësishëm përpara. Në emër të FSHF-së dhe presidentit Duka, atij iu uruan mirëseardhja dhe suksese.
