Katër arritje të jashtëzakonshme në shënimin e golave i kanë siguruar sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haaland, po aq certifikata nga Rekordet Botërore Guinness.
Futbollisti norvegjez, 26 vjeç, i mori vlerësimet përpara nisjes së sezonit të ri, pasi kishte vendosur rekorde në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Kombeve.
Të lidhura
None found
Në kampionatin anglez, Haaland u bë lojtari që mbërriti më shpejt në kuotën e 100 golave. Atij iu deshën vetëm 111 paraqitje për ta arritur këtë shifër, ndërsa rekordi u vulos me golin ndaj Fulhamit më 2 dhjetor 2025.
Një tjetër certifikatë lidhet me rekordin për numrin më të lartë të golave brenda një sezoni të vetëm të Ligës Premier. Gjatë edicionit 2022/23, norvegjezi realizoi 36 herë, duke lënë pas rekordin e mëparshëm prej 34 golash, të mbajtur nga Andy Cole dhe Alan Shearer.
Haaland është gjithashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Ligës së Kombeve. Mes shtatorit 2020 dhe nëntorit 2024, ai grumbulloi 19 gola në këtë kompeticion, arritje që i solli certifikatën e tretë.
Vlerësimi i katërt iu dha për barazimin e rekordit të Ligës së Kampionëve me pesë gola të shënuar në një ndeshje të vetme. Sulmuesi e realizoi këtë ndaj RB Leipzig më 14 mars 2023, duke iu bashkuar Lionel Messit dhe Luiz Adrianos, të vetmit që e kishin arritur më herët këtë shifër.
Brenda pak më shumë se tre vjetësh në futbollin anglez, Haaland ka kaluar nga statusi i një talenti të madh në atë të një prej sulmuesve me dominimin më të theksuar statistikor. Shtrirja e popullaritetit të tij u dëshmua edhe gjatë Kupës së Botës së fundit, kur numri i ndjekësve në Instagram iu shtua me 24 milionë.
Tashmë, norvegjezi përgatitet për objektiva të rinj te Manchester City nën drejtimin e trajnerit të ri Enzo Maresca. Synimi kryesor i klubit është rikthimi i titullit të Ligës Premier, të cilin nuk arriti ta fitonte sezonin e kaluar. City do ta nisë me ndeshjen e kësaj jave në Community Shield kundër Arsenalit, në Cardiff.
