Egnatia dhe Dinamo po ecin në të njëjtën trajektore historike, duke u shndërruar në historitë e suksesit të futbollit shqiptar falë paraqitjeve të deritanishme në kualifikueset e Kupave të Europës. Rrogozhinasit përmbysën në mënyrë spektakolare Shamrock-un, të cilin e dominuan plotësisht në fushën e “Arena Egnatia”, duke triumfuar me rezultatin 5-1.
Të lidhura
None found
Kjo fitore ka sjellë festë të merituar, por njëkohësisht ka shtuar dëshirën për të kapërcyer edhe pengesën vendimtare. Objektivi madhor i Egnatias mbetet kualifikimi në grupet e Europa League.
Sakrifica dhe përpjekjet për çdo top e çdo gol janë përkthyer edhe në përfitime të konsiderueshme financiare. Bazuar në shifrat e UEFA-s, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka siguruar deri tani 3,17 milionë euro. Nëse arrin të kualifikohet në grupet e Europa League, të ardhurat do të rriten në 4,31 milionë euro.
Të njëjtin status në Conference League gëzon edhe Dinamo. Pas suksesit me “poker” kundër Audas, kryeqytetasit do të shpërblehen financiarisht për paraqitjen e shkëlqyer të realizuar nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja.
Sipas përllogaritjeve të të ardhurave nga institucioni europian i futbollit, Dinamo ka arkëtuar 1,45 milionë euro. Në rast se siguron pjesëmarrjen në grupet e Conference League, klubi do të përfitojë automatikisht 3,17 milionë euro.
