Ina Zhupa, kryetare e Komisionit Parlamentar për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, ka reaguar pas vizitës së ministrit Blendi Gonxhja në Sarandë, duke hedhur poshtë pretendimet e tij për “mirëmenaxhimin” e qytetit.
Deputetja e PD-së ka renditur një sërë vështirësish që, sipas saj, prekin çdo ditë banorët dhe vizitorët. Mes tyre ajo përfshin furnizimin e pamjaftueshëm me ujë, trafikun kaotik, mungesën e vendeve të parkimit, problemet e terminalit të ri, administrimin e mbetjeve dhe cilësinë e ujërave të larjes.
Të lidhura
None found
Zhupa e cilëson qasjen e qeverisë si “menaxhim fasadë”, ndërsa nënvizon se Sarandës i duhen shërbime që funksionojnë, infrastrukturë, pastërti, ujë i pijshëm gjatë 24 orëve, si dhe mbrojtje e promovim i trashëgimisë kulturore, jo propagandë.
Në reagimin e saj të plotë, Ina Zhupa pyet se ku ndodhet Saranda e “mirëmenaxhuar” për të cilën flet Gonxhja.
Sipas saj, edhe qytetarët e Sarandës do të dëshironin ta shihnin këtë “mirëmenaxhim”, ndërsa turistët ta përjetonin konkretisht, në vend që të dëgjonin për të vetëm përmes fjalimeve propagandistike.
Ajo shprehet se të pretendohet se qyteti është mirëmenaxhuar, përballë situatës së krijuar, nuk dëshmon vetëm shkëputje nga realiteti, por përbën tallje me qytetarët dhe propagandë politike.
Duke i marrë çështjet me radhë, Zhupa ndalet fillimisht te furnizimi me ujë.
Ajo e përshkruan gjendjen si një nga më të mjerueshmet e viteve të fundit. Sipas deputetes, skenari “më i mirë” është që uji të vijë një herë në dy ditë, ndërsa lagje të tëra mbeten pa furnizim për ditë dhe javë. Zhupa thekson se, për një nga qytetet turistike më të rëndësishme të vendit, kjo situatë nuk mund të quhet mirëmenaxhim, por dështim i një shërbimi bazë.
Një tjetër problem i ngritur prej saj është trafiku. Sipas Zhupës, gjatë sezonit lëvizja me automjet në Sarandë është shndërruar në një mision të pamundur. Ndërtimet vazhdojnë të shtohen përgjatë rrugëve ekzistuese, ndërsa mungon planifikimi serioz për qarkullimin, transportin publik dhe infrastrukturën, duke krijuar një lëmsh të vërtetë.
Për sa u përket parkimeve, ajo deklaron se numri i tyre është praktikisht zero krahasuar me nevojat e qytetit. Në kulmin e sezonit, si qytetarët, ashtu edhe turistët detyrohen të luftojnë për të siguruar një vend parkimi.
Zhupa ngre pikëpyetje edhe për terminalin e ri. Sipas saj, në vend që ky investim të ofronte një zgjidhje të integruar për transportin, ai i ka vendosur qytetarët përballë një kaosi edhe më të madh në qarkullim. Ajo argumenton se ndërtimi i një terminali nuk mjafton që ai të konsiderohet sukses, pasi rezultati duhet vlerësuar në bazë të faktit nëse problemi është zgjidhur apo është përkeqësuar.
Në reagim përmendet gjithashtu situata e mbetjeve. Zhupa flet për rrugë dhe shkallare të papastruara, mbeturina të grumbulluara nëpër cepa dhe pamje që, veçanërisht në pikun e sezonit turistik, e dëmtojnë rëndë imazhin e Sarandës.
Lidhur me plazhet dhe ujërat, deputetja i referohet raportit më të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit për ujërat e larjes në vitin 2025. Sipas saj, dokumenti tregon se Shqipëria renditet e fundit, ndërsa Saranda përmendet posaçërisht si shembull negativ.
Zhupa ndalet edhe te trashëgimia kulturore, duke kujtuar se Butrinti është dhënë me koncesion. Ndërkohë, sipas saj, shumë site të tjera të trashëgimisë kulturore vijojnë të jenë pak të njohura, nuk kanë guida të mjaftueshme, përballen me akses të vështirë e rrugë të amortizuara dhe mbartin një sërë problemesh që kërkojnë zgjidhje.
Ajo vlerëson se kjo qasje nuk përbën një strategji për ta shndërruar Sarandën në një destinacion kulturor të qëndrueshëm, por është vetëm “menaxhim fasadë”.
Sipas Zhupës, qytetit i nevojitet furnizim me ujë gjatë 24 orëve, rrugë dhe trafik të administruar, vende parkimi, pastërti, ujëra të pastra, transport funksional, si dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur dhe e promovuar.
Deputetja thekson se pikërisht këto duhet të jenë kriteret për vlerësimin e qeverisjes, përballë atij që ajo e quan “mirëmenaxhimi imagjinar” i Gonxhes.
Në përfundim, Zhupa deklaron se aty ku Gonxhja sheh sot “mirëmenaxhim”, qytetarët shohin kaos, duke akuzuar qeverinë se ka humbur lidhjen me realitetin.
