Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë shkeljet e mundshme ligjore dhe keqpërdorimin e buxhetit nga deputetët që njëkohësisht vazhdojnë të ushtrojnë edhe funksionin e ministrit në detyrë.
Të lidhura
None found
Sipas Zemajt, ndaj personave që mbajnë paralelisht këto dy poste duhet të ndërmerren masa.
“Ne e kemi një kallëzim penal, ai është aktiv, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje se çka ka pasur tutje, kjo është e përsëritshme. Është edhe vendimi i Gjykatës Supreme që e ndalon ushtrimin e dy detyrave: deputet dhe ministër. Ne nuk kemi përgjigje tjetër. Prokuroria duhet ta bëjë punën e vet dhe hetuesia ta shohë se ku janë shkeljet ligjore, ku është keqpërdorimi i buxhetit dhe të marrë masa ndaj individëve që ndajnë këto dy pozita”, deklaroi Zemaj.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka thirrur grupin parlamentar në një takim nga ora 14:00, ku pritet të diskutohet për ngërçin politik.
